Ndërsa beteja ligjore për mandatin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, vijon të zvarritet në institucionet zgjedhore, qytetarët përballen çdo ditë me problemet e menaxhimit të qytetit.
Në redaksinë e Boldnews kanë mbërritur pamje të realizuara sot pranë Spitalit të Kuçovës, ku duken qartë grumbuj mbetjesh të shpërndara në mes të rrugës dhe përreth koshave të tejmbushur.

Fotot tregojnë një situatë problematike higjieno-sanitare në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, pranë institucionit shëndetësor, duke ngritur pikëpyetje mbi menaxhimin e mbetjeve urbane nga Bashkia Kuçovë.
Kjo nuk është hera e parë që ngrihen akuza për gjendjen e qytetit. Edhe më herët, ish-deputeti Lefter Maliqi ka publikuar denoncime dhe pamje nga zona të ndryshme të Kuçovës, duke akuzuar kryebashkiakun Kreshnik Hajdari për neglizhencë dhe keqmenaxhim të fondeve publike.
“Plasën ujërat dhe plehrat edhe në lagjen e deputetit Kollçaku në Bashkinë Kuçovë”, denonconte Maliqi në një prej reagimeve të tij, teksa publikonte video dhe foto nga problematika të ngjashme në qytet.

Pamjet e mbërritura sot në redaksinë e Boldnews duket se i japin një tjetër dimension debatit për administrimin e Bashkisë Kuçovë, në një kohë kur emri i kryebashkiakut vijon të jetë në qendër të përplasjeve politike dhe procedurave ligjore.
Së fundmi, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendosi me votim unanim 5 me 0 t’ia rikthejë për shqyrtim Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dosjen që lidhet me mandatin e Hajdarit, pa dhënë një vendim përfundimtar mbi çështjen.
Vendimi ka sjellë reagimin e ish-deputetit dhe ish-kandidatit për kryebashkiak të Kuçovës, Lefter Maliqi, i cili e ka cilësuar procesin si një “blerje kohe” dhe një “manovër politike” për të mbrojtur kryebashkiakun socialist.














