Për dekada të tëra Lezha është shndërruar në një qytet ku gjakmarrja është kthyer në një sagë e cila ka marrë shumë jetë njerëzish. Siç është edhe ajo midis familjeve Nikulaj dhe Lekstakaj.
Dy familje të hershme në këtë qytet, të cilat kanë humbur shumë anëtarë të tyre. Një lumë i pambarimtë gjaku që nis për një shumë qesharake parash prej 10 mijë lekësh të vjetra, pikërisht 30 vite më parë. Familje të cilat sot paguajnë shuma të mëdha parash për të shuar njëra-tjetrën.
Konflikt i cili duket i vështirë për t’u shuar midis dy fiseve, që vetëm në 3 vitet e fundit nga shkrepja e ndërsjelltë e armëve kanë humbur 3 anëtarë. Familje që tashmë rrinë të ngujuara, si dhe fëmijë që rriten në trauma dhe zgjidhja duket e largët.
Nikolin Marku ishte pikërisht një nga viktimat e shumta të këtij konflikti të përgjakshëm dhe të pambarimtë midis fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj.
Ai nuk kishte shumë që kishte dalë nga banesa e tij, kur u qëllua për vdekje nga një batare plumbash, që i morën jetën në derën e dyqanit ku sapo kishte blerë një shishe Coca-Cola, në fshatin Balldre të Lezhës. Atë pasdite të parakrimit ai ishte në banesën e tij bashkë me familjarë të tjerë kur u çua dhe mori makinën e vëllait të tij, për t’u drejtuar për në dyqanin më të afërt.
Dyqan që ndodhej jo më larg se 1 km nga shtëpia e tij. Një nxitim i tillë sa ai doli nga shtëpia me shapkat e para që gjeti në pragun e derës. Ngut që u pa edhe te mënyra se si e la automjetin me të cilin udhëtoi pranë dyqanit, ku u ndal të psoniste, atë pasdite të nxehtë korriku.
Makinë e cila u gjet e ndezur, ashtu siç ai e kishte lënë, vetëm 10 metra përballë marketit, ku ai do të qëllohej nga një automjet që e priste jashtë tij.
Nikolin Marku, i cili u pa i dergjur i pajetë në shkallët e dyqanit, ku sapo kishte dalë me shishen e Coca-Colas në dorë. Shishe e Coca-Colës e cila u gjet vetëm pak metra larg trupit të tij, ashtu si dhe shapkat verore që mbante mbathur.
Një vrasje e paralajmëruar, për të cilën edhe vetë viktima dhe familjarët e tij, mund edhe ta kishin parashikuar. Ose të paktën mund të ishin në dijeni prej kohësh.
Qysh prej të paktën kur një tjetër vrasje kishte tronditur Lezhën. Aty ku prej vitesh fisi dhe familja e tij rronin në një hasmëri të gjatë dhe të thellë me fisin e Nikulajve. Nikulajt, me të cilët Lekstakajt, mbiemri i vërtetë i viktimës, ishin lidhur në një seri të gjatë dhe të pambarimtë episodesh të përgjakshëm që nisnin që nga mesi i viteve ‘90 dhe që nuk kishin ndalur as në vitet e fundit.
Aty ku atentati që trazoi edhe njëherë mëritë e vjetra dhe ktheu armët sërish ndaj njëri-tjetrit ishte ai ndaj biznesmenit dhe politikanit lokal me influencë në zonën e Lezhës, Ardian Nikulaj.
Nikulaj i cili u qëllua për vdekje brenda lokalit të tij në Shëngjin mesditën e datës 19 Prill 2023. Nga një person i maskuar me skafandër në kokë që iu afrua dhe e qëlloi për vdekje me disa plumba.
Person që më pas u identifikua si Ruben Saraiva, një shtetas portugez. Që kishte mbërritur në Shqipëri më datë 14 Shkurt 2023 dhe që ishte pritur në aeroport nga Edmond Haxhia dhe e fejuara e këtij të fundit.
Haxhia që është nip te Lekstakajt dhe që akuzohet nga Prokuroria e Lezhës si organizatori dhe financuesi i vrasjes së Ardian Nikulaj. Duke marrë kështu gjakun e familjes së tij. Vrasje e cila më pas mesa duket rihapi edhe njëherë “kutinë e pandorës” në Lezhë.
Duke rikthyer kohët e errëta midis dy fiseve, ku plumbat nuk kursenin askënd. Ashtu siç në fakt ishte edhe fundi tragjik i 42 vjeçarit, Nikolin Marku, babait të një vajze të mitur.
Që nuk i shpëtoi dot hasmërisë midis dy fiseve. Ose të paktën kështu pretendojnë të afërmit e tij.
Të cilët besojnë se vrasja e tij lidhet me gjakmarrjen që Nikulajt kanë me Lekstakajt. Vrasja e Nikolin Markut që çuditërisht erdhi në datën e 3 mujorit të ekzekutimit të Ardian Nikulaj.
Por pse familjarët e Nikolin Markut besojnë se vrasja e tij u krye nga fisi Nikulaj, si shenjë hakmarrje për eleminimin e biznesmenit?
Ndërkohë që vetëm disa javë më parë Gjykata e Lezhës dënoi me burgim të përjetshëm portugezin Ruben Saraiva, i gjendur fajtor për ekzekutimin e Ardian Nikulaj.
Ndërsa pjesa e tjetër e grupit që u përfshi në vrasje vazhdojnë të jenë në përballje me drejtësinë në Britaninë e Madhe, duke përfshirë edhe Edmond Haxhian, atë që u tha se është financuesi dhe organizatori i vrasjes së Nikulajt.
Cila ishte lidhja farefisnore e viktimës Nikolin Marku, alias Lekstakaj, me Edmond Haxhian, personin që dyshohet se është porositësi i vrasjes së Nikulaj?
Vrasja e Nikolin Markut që siç thamë vinte saktësisht në tre mujorin e ekzekutimit të Ardian Nikulaj.
A ishte kjo një rastësi, apo porositësit e krimit kishin dashur të linin një mesazh?
Apo dikush tjetër ishte i interesuar të përfitonte nga hasmëritë midis dy fiseve, dhe gjeti pikërisht këtë mënyrë, për të rindezur edhe njëherë zjarrin midis dy familjeve?
Por para se të shkojmë te këto aludime, le të ndalemi fillimisht te mënyra se si u ekzekutua Nikolin Marku, në fshatin Balldre të Lezhës, atë pasdite të datës 19 Korrik 2023.
Dosja Hetimore
Më datë 19 Korrik 2023, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka marrë njoftim se në fshatin Balldre është qëlluar me armë zjarri një person, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Nga veprimet paraprake në vendngjarje, rezultoi se ky shtetas ishte Nikolin Marku (Lekstakaj). Dhe se vendi i ngjarjes ndodhej, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në anën e majtë të rrugës, përballë restorantit ‘D*****a’. Konkretisht në pjesën e përparme të banesës së shtetasit P. Gj, ku përballë banesës së tij ndodhet një market ushqimor dhe produktesh të ndryshme, po në pronësi të tij, te dera e të cilit janë katër shkallë dhe pastaj një ambient i hapur si parkim përpara.
Do të ishte pikërisht këtu vendi ku u gjet i pajetë i qëlluar me disa plumba Nikolin Marku.
Viktima që u pa i përmbysur në tokë, mbuluar nga gjaku, i goditur pa zbritur mirë shkallët e dyqanit, ku nuk kishte qëndruar gjatë.
Marku i cili si pasojë e bataresë së plumbave të derdhur ndaj tij kishte humbur drejtpeshimin.
Gjë që u vu re edhe te mënyra se si ishin shpërndarë në vendngjarje, shishja e Coca -Colës që sapo kishte blerë dhe shapkat verore që mbante veshur në atë moment.
Dosja Hetimore
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes u konstatua që tek shkallët përballë marketit, i shtrirë në tokë ishte trupi i një njeriu, i seksit mashkull, i rënë përmbys, i mbuluar me gjak dhe pa shenja jete. Ku në anën e djathtë të tij, në tokë ndodhej një shishe plastike Coca-Cola, si dhe në fund të shkallëve dy shapka verore meshkujsh, ngjyrë të zezë.
Por siç do të shikohet edhe më poshtë në dosjen hetimore, ashpërsia me të cilën Nikolin Marku, u godit, nuk tregoi asgjë tjetër, përveç faktit, që për të ishte prerë një mandat vdekje i sigurtë.
Kjo pasi jo vetëm në trupin e tij, apo në vendngjarje, por edhe në marketin nga ku ai doli, u gjetën disa plumba të shpërndarë në brendësi të tij. Atentat që u krye në sy të një fëmije të mitur dhe nënës së tij, që shërbente në këtë dyqan.
Të cilët vetëm fati u tregua bujar me ta, dhe i shpëtoi paq nga breshëria e plumbave që kishin fluturuar deri te raftet e produkteve ushqimore.
Dëshmitarët të cilët deklaruan se kishin parë një makinë me xhama të zinj të qëndronte përballë marketit dhe nga brenda saj të qëllohej me furi në drejtim të viktimës, Nikolin Marku, pa pritur madje as të afrohej te makina e tij, por në shkallët e dyqanit, pa i zbritur të plota ato.
Dosja Hetimore
Në anën e djathtë të vendit ku u gjet viktima, konkretisht në qepenin e marketit që u gjet i ulur, u konstatuan 3 vrima tejshpuese si ato të armëve të zjarrit, ndërsa në tokë, poshtë këtyre vrimave u gjet një predhë metalike në dukje si ato të armëve të zjarrit. Nga kqyrja e ambientit të brendshëm të marketit, në vijë të drejtë me vrimat e qepenit, në pjesën e murit ishte i vendosur një raft metalik për mbajtjen e produkteve të marketit, në të cilin u konstatuan 3 vrima tejshpuese si ato të shkaktuara nga armë zjarri si dhe pasi u spostua pak rafti nga muri, pas tij, në tokë, poshtë vrimave u gjetën një këmishë predhe si ato të armëve të zjarrit si dhe dy bërthama predhe si ato të armëve të zjarrit.
Vetë vëllai i viktimës, i marrë në pyetje nga policia e Lezhës, tregoi se në momentin e ngjarjes ai kishte qenë në shtëpi me të ëmën.
Ai tha gjithashtu se krismat i dëgjoi, por nuk i shkoi kurrsesi as në mendimet e tij më të këqija se objektivi ishte vëllai i tij.
Ndërsa tashmë ishte e qartë që atentatorët nuk kishin marrë aspak parasysh se në brendësi të marketit ndodheshin edhe persona të tjerë të cilëve u rrezikohej jeta.
E vetmja gjë që duket se ata kanë pasur bindje, ishte eleminimi me çdo kusht i viktimës.
Atë që në fakt e realizuan me sukses.
Aq e fortë ishte shkreptima e armëve sa sipas ekspertizës në vendngjarje, ciflat e xhamit të vitrinës së shpuar nga plumbat, u gjetën 10 metra në distancë nga dyqani.
Teksa dëshmitar i ngjarjes u bë edhe një 16-vjeçar, i cili tha për hetuesit se pasi dëgjoi të shtënat, i tmerruar iku me vrap, duke u fshehur në pjesën e pasme të marketit.
I njëjti që deklaroi se pasi autorët qëlluan ata u larguan me automjetin e zi me të cilin kishin mbërritur aty.
Ndërsa familjarët e viktimës, thanë se Nikolini kishte afro 2 vite që qëndronte ne Shqipëri, dhe pas ekzekutimit të Ardian Nikulaj, i kishte kufizuar së tepërmi lëvizjet.
Dosja Hetimore
Nga ana e majtë, në distancë rreth 10 m nga vendi ku u gjet trupi i viktimës, në pjesën e hapësirës së parkimit, u konstatuan copa të vogla xhami të thyera, në dukje të llojit xham automjeti, i shpërndarë në tokë si dhe 9 copa plastike ngjyrë të zezë me ngjitës nga njëra anë, të dëmtuara në formë dhe përmasa të çrregullta, në dukje si ngjitës për xhama automjetesh për errësim, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Por çfarë thanë për grupin hetues, familjarët e Nikolin Markut dhe pse ata besojnë se vrasësit e njeriut të tyre të dashur, janë porositur dhe financuar nga njerëz nga familja Nikulaj?
Çfarë ndodhi dy ditë përpara se Nikolin Marku të vritej dhe përse babai i tij mendon se ato fantazma që lëviznin kudo si hije ku ata shkelnin, ishin njerëz që u ishin vënë pas për t’i eleminuar?
Detaje të cilat ai i deklaroi edhe gjatë intervistimit të tij në polici, pas vrasjes.
Dhe çfarë po ndodh sot me familjen Marku, pas ekzekutimit të njeriut të tyre të dashur.
Përse kamerat e sigurisë në vendngjarje, nuk arritën të zbulojnë diçka më konkrete përsa i përket autorëve të ngjarjes.
Dhe a është ky rasti kur hetimet nuk janë bërë të plota, por policia si në shumë ngjarje të tjera gjendet e kompromentuar me krimin?
Dosja Hetimore
Në vijim të kqyrjes së vendit të ngjarjes, në dy kolonat anësore të marketit, u konstatuan dy kamera sigurie nga ato me kartë memorie brenda, të cilat u morën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, me qëllim verifikimin e mëtejshëm të pamjeve filmike. Nga ajo që u konstatua në vendngjarje është se përballë shkallëve ku u gjet trupi i viktimës, u pa i parkuar një automjet tip ‘Benz’ ngjyrë gri me targë AA 913 NH, i ndezur, me derën e shoferit të hapur.
Automjet me të cilin dyshohet se viktima ka ardhur në dyqan për të blerë një Coca-Cola, duke e parkuar atë përballë dhe lënë të ndezur. Dhe pasi ka blerë Coca-Colën, ai ka dalë nga dyqani për të hipur në automjet përsëri, kur tek shkallët është qëlluar me armë zjarri dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Por edhe pse policia ngriti pika kontrolli më rrugët hyrëse dhe dalëse nga ku mund të kishin lëvizur autorët dhe makina e tyre para dhe pas krimit, këto postoblloqe rezultuan të paefektshme.
Kjo pasi nuk u shqua asnjë gjurmë nga makina e krimit. Por nëse policia nuk gjeti asnjë gjurmë të tillë, familja e viktimës dhe konkretisht babai i tij, Gjergj Lekstakaj, ngriti gishtin e akuzës ndaj familjes Nikulaj. Duke i akuzuar ata si vrasës të të birit. Pretendime sipas tij të mbështetura, edhe në informacionet që ata kishin se makina e vrasësve para se të qëllonte të birin, kishte dalë nga zona e Nikulajve.
Gjergj Lekstakaj
Dy ditë përpara se të ndodhte krimi, djali im Nikolini ndërsa po punonim në arë, është vëzhguar nga një makinë e dyshimtë. Gjë të cilën e pa edhe djali im. Makinë e cila ndërsa po punonim arën kaloi pranë tokës sonë. Për vrasjen e tim biri, unë akuzoj familjen Nikulaj. Por Gjergj Lekstakaj shkoi edhe më tej në akuzat e tij, duke thënë se policia po mbron vrasësit e të birit.
Kjo pasi sipas tij, vrasësi i djalit të tij, të cilin ai lë të mendohet se e njeh, lëviz me makinë i shoqëruar nga policia.
Një akuzë shumë e rëndë kjo për policinë e Lezhës. Gjergj Lekstakaj iu drejtua disa herë me shkresë Prokurorisë, Ministrit të Brendshëm të kohës, por edhe disa institicioneve të tjera në vend.
Në këto emaile dhe shkresa zyrtare Gjergj Lekstakaj, thotë se kamerat e sigurisë kanë kapur automjetin që u përdor në vrasjen e djalit të tij Nikolinit, duke dalë nga Nikulajt, por policia nuk i zbardh këto kamera, pasi është edhe vetë e implikuar.
Ndërkohë që siç thamë edhe më herët, vrasja e Nikolin Lekstakaj ka ndodhur në sytë e pronares së dyqanit dhe djalit të saj të mitur. Ku vrasësit zgjodhën të qëllojnë nga brenda automjetit, pa dalë aspak nga aty. Ndërkohë që grupi hetues në pistat e tij hetimore dyshon se Nikolin Marku është viktimë e përplasjeve të vjetra dhe të reja midis fiseve Lekstakaj dhe Nikulaj.
Midis të cilëve ekziston ‘hasmëria e ndërsjellë’ e cila ka kulmuar edhe me ngjarjen e datës 19 Mars 2023. Ngjarje në të cilën gjeti vdekjen edhe biznesmeni dhe politikani lokal Ardian Nikulaj, që u vra në brendësi të lokalit të tij nga një vrasës me pagesë portugez, i identifikuar dhe i dënuar tashmë me burgim të përjetshëm, Ruben Saraiva.
Por edhe pse Gjergj Lekstakaj, ka dërguar disa emaile drejtuar në mënyrë të vazhdueshme Prokurorisë së Lezhës, ambasadës amerikane, asaj britanike, Ministrit të Brendshëm dhe SPAK, ende edhe sot vrasja e djalit të tij Nikolin Marku-Lekstakaj, mbetet ende e pazbardhur. Ndërkohë që lidhur mbi ekzekutimin e tij, policia e Lezhës ushtroi kontrolle edhe në banesat dhe bizneset e familjes Nikulaj. Por nuk mundi të gjejë asgjë kompromentuese, që mund t’i lidhte ata me këtë vrasje.
Por ajo që e bën këtë histori edhe më të dhimbshme është fakti se familja e Nikolin Markut, ka vendosur të lerë Shqipërinë, për shkak të hakmarrjes që ekziston midis dy fiseve Lekstakaj-Nikulaj. Ndërkohë që Gjergj Nikulaj, babai i viktimës, Nikolin Marku, ka kërkuar edhe mbrojtje, pasi thotë se ndihet i kërcënuar për jetën e tij.
Gjergj Lekstakaj: Pas vrasjes së Nikolinit, djali tjetër është larguar nga vendi, pasi jeta jonë është gjithmonë në rrezik. Ajo që tashmë na mundon është si tja shpjegojmë fëmijës së mitur që nuk mundet të dalë në oborr. Aktualisht jemi të gjithë të ngujuar, që nga nëna 87 vjeçe, vajza jetime e Nikolinit, si dhe dhe nusja e djalit tjetër me 3 fëmijë të mitur. Ne jemi njerëz punëtor, nuk vijmë nga bota e krimit apo politikës.
Por pa u mbushur ende 6 muaj nga ekzekutimi i Nikolin Markut, një tjetër vrasje, këtë herë në krahun e Nikulajve, duket se riktheu në kujtesë hijet e fantazmës së përplasjes së dhunshme midis fisit Nikulaj-Lekstaj. Këtë herë viktima do të ishte Entjan Nikulaj. Djali i xhaxhait të biznesmenit të vrarë, Ardian Nikulaj. Entjan Nikulaj, i cili u qëllua për vdekje, mbrëmjen e datës 2 Dhjetor 2023, në hyrje të qytetit të Lezhës, ndërsa ishte në drejtimin e automjetit të tij, tip ‘Fuoristradë’. 40-vjeçari i cili fillimisht mbeti i plagosur rëndë, por që më pas humbi jetën gjatë transportit për në spital.
Policia e Lezhës
Mbrëmjen e datës 2 Dhjetor 2023, Drejtoria e Policisë Lezhë, ka marrë njoftim se në vendin e quajtur ‘Ura e Trenit’ në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në orën 21.30 të kësaj mbrëmje, është qëlluar me armë zjarri dhe ka mbetur i plagosur rëndë shtetasi Entian Nikulaj, me banim në Shëngjin, i moshës 40 vjeç. I cili është qëlluar me armë zjarri në rrethana të paqarta brenda automjetit që drejtonte. Shtetas i cili më pas është transportuar në gjendje shumë të rëndë në spitalin e Lezhës, ku edhe ka humbur jetën.
Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetues, ashtu si edhe në krimet e tjera të ngjashme, autorët zgjodhën të largohen nga vendngjarja, me anë të një automjeti. Automjet tip BMW, ngjyrë gri, me targa AB 138 HT.
Targa që rezultuan të vjedhura dhe ishin raportuar si të tilla më 29 nëntor në Tiranë, në zonën e Kombinatit në kryeqytet. Ekzekutim që u pasua me kontrolle të shumta në banesat e personave të dyshuar.
Por edhe këtë herë policia nuk mundi të gjejë asgjë të dyshimtë që lidhej me vrasje. Vrasës që në fakt e kishin ndjekur gjahun e tyre këmba-këmbës. Ashtu siç në fakt u konfirmua edhe nga krehja e kamerave të sigurisë, të cilat dhanë një panoramë më të qartë të asaj se çfarë kishte ndodhur. Ku edhe këtë herë pista kryesore e vrasjes ishte hakmarrja midis dy fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj.
Por çfarë dëshmuan kamerat e sigurisë në lidhje me vrasjen e Entjan Nikulaj? Dhe pse viktima, i njohur edhe me emrin Enio, ishte një nga personat e dyshuar për eleminimin e Nikolin Markut-Lekstakaj, më 19 Korrik të po këtij viti në fshatin Balldren të Lezhës? Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetues, Entjan Nikulaj, mbrëmjen ku humbi jetën, sapo kishte dalë nga një lokal në superstradë, ku kishte kaluar edhe orët e tij të fundit.
Me të dalë nga lokali, ai mësohet se kishte hipur në makinën e tij tip ‘Fuoristradë’ dhe ishte nisur në drejtim të Lezhës. Por pikërisht në hyrje të qytetit ai bie pre e plumbave të shumtë, të cilët fillimisht vijnë pas shpinës së tij dhe të makinës. Autorët të cilët më pas, pasi makina e viktimës ul shpejtësinë, i dalin automjetit të tij në krah dhe e qëllojnë edhe njëherë me batare plumbash.
Dosja Hetimore
Gjatë kqyrjes së pamjeve filmike të marra nga kamerat e sigurisë ka rezultuar se automjeti me të cilin udhëtonte viktima është ndjekur menjëherë sapo 40-vjeçari Entjan Nikulaj ka dalë nga një lokal që gjendet në superstradë dhe në hyrje të Lezhës ai është qëlluar nga pas nga autorët. Të cilët pasi automjeti i viktimës ka ndaluar, ndaj tij është qëlluar edhe në pjesën anësore. Plumbat që e kanë kapur atë në shpinë dhe pjesën anësore, gjë që i ka shkaktuar atij plagë të rënda qe i morën jetën.
Sipas ekipit forenzik në vendin e ngjarjes, Entjan Nikulaj, u qëllua me të paktën 25 plumba. Ndërkohë që me të kryer krimin, makina me autorët mori rrugën e kthimit drejt Rinasit. Aty ku edhe automjeti u gjet i djegur bashkë me dy armët që u përdorën në krim. Në lidhje me këtë vrasje, policia e Lezhës mori në pyetje 10 persona si dhe ushtroi kontrolle në banesat e personave të dyshuar.
Por më pas i la të lirë të gjithë të dyshuarit. Ndërkohë që edhe në këtë rast pista kryesore mbeti gjakmarrja si dhe konfliktet e vetë viktimës.
Ndërsa dyshimet mbetën se viktima ishte tradhtuar në momentet e fundit që po qëndronte në lokal, ose ishte ndjekur në mënyrë të tillë, sa autorët njihnin tashmë çdo lëvizje të tij.
Dosja Hetimore
Gjatë krehjes së zonës, policia ushtroi kontroll edhe në kamerat e sigurisë të lokalit ku kishte qëndruar për herë të fundit viktima Entjan Nikulaj.
Kjo me qëllim për të parë nëse kishte informatorë në lidhje me lëvizjet e tij. Po kështu u morën në verifikim edhe kamera të tjera që mund të hidhnin dritë mbi lëvizjet e autorëve që dyshohet se ishin 3. Të cilët menjëherë pasi kanë qëlluar mbi mbi makinën me të cilën udhëtonte 40 vjeçari, e kanë kthyer automjetin tyre për t’u drejtuar drejt Rinasit, ku dhe e kanë djegur së bashku me armët e krimit pranë Urës së Tupit.
Por si nisi përplasja midis fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj në mesin e viteve ’90. Përplasje e cila 30 viteve më vonë, kulmoi me ekzekutime dhe viktima të reja. Bazuar në një kronologji faktesh, e gjithë kjo sagë e përbindshme midis dy fiseve, thuhet se nisi me një sherr banal midis dy 15 vjeçarëve.
Ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1997, në një pikë karburanti në qytetin e Lezhës, ku viktimë mbeti edhe një djalë nga fisi Nikulaj. Që ishte Pëllumb Nikulaj, vëllai i biznesmenit të mëvonshëm Ardian Nikukaj, edhe ky sot i ekzekutuar.
Por fill pas kësaj ngjarje një tjetër më e kobshme do të prekte këtë herë familjen Lekstakaj.
Ku në të njëjtin vit u vranë për një tokë në fshatin Balldre të Lezhës, Gëzim Stakaj dhe Laurent Gjetja, djalit i poetit të njohur lezhjan, Ndoc Gjetja, që ishte nip në familjen Stakaj.
Ku sipas tyre i dyshuari kryesor lidhur mbi krimin ishte Nikoll Nikulaj, i cili me të kryer 3 muaj burg, u la lirë pasi u tha se krimin e kishte bërë për vetëmbrojtje, edhe pse ishte në tokën e viktimave.
Por këta nuk do të ishin viktimat e vetme në fisin Lekstakaj. Pasi vetëm disa muaj më pas, në vitin 1998, viktima e radhës do të ishte Gjovalin Lekstakaj. I cili thuhet se u qëllua nga kushëriri i tij Pjetër Lekstakaj, i cili edhe vetë u plagos, pavarësisht se u akuzua si atentator dhe u dënua me 12 vite burgim.
Fill pas këtyre vrasjeve duket sikur mëritë midis dy fiseve u shuan. Familja Lekstakaj vendos të largohet drejt Britanisë së Madhe, ndërsa Nikulajt qëndrojnë në Shqipëri në qytetin e Lezhës.
Aty ku ndërtojnë bizneset e tyre, pa e ditur se në vitin 2023, plumbat do të rihapin dhe njëherë plagët e vjetra.
Duke shënuar deri më tani 3 viktima të reja. Ashtu siç ndodhi në ekzekutimin e biznesmenit 51 vjeçar, Ardian Nikulaj, që u qëllua në lokalin e tij në Shëngjin. Ku grupi hetues ka dyshimet e veta se organizator dhe porositës është Edmond Haxhia, nip në familjen Lekstakaj.
I cili thuhet se angazhoi disa turistë të ashtëquajtur britanikë që zbritën në Shëngjin në hotelin e Ardian Nikulaj, për ta mbajtur fillimisht në vëzhgim. Dhe më pas në lojë u fut një vrasës me pagesë, i cili kishte disa muaj që qëndronte në fshatin Karriq në Lezhë. Në pritje të rastit për të qëlluar ndaj biznesmenit. Atë që edhe bëri më datë 19 Prill 2023, ku i maskuar si një motorist delivery, hyri dhe qëlloi për vdekje ndaj Ardian Nikulajt.
Ky vrasës me pagesë që siç thamë do të ishte Ruben Saraiva. Një 31 vjeçar i rritur në Londër. I cili thuhet se e mori përsipër vrasjen e Nilulajt, pas refuzimit që kriminelë shqiptarë i kishin bërë ofertës prej 500 mijë euro për ta eleminuar? Saraiva një profil shumë interesant vrasësi. Babai i të cilit Clinton Saraiva kishte mbërritur fillimisht në Portugali nga Johanesburgu u Afrikës së Jugut për të luajtur futboll me të rinjtë U-19 të ekipin portugez ‘Academica Coimbra’.
Aty ku në moshën 20 vjeçare kishte takuar edhe Milun, me origjinë nga Angola, që punonte si banakiere në një lokal. Lidhje nga e cila në vitin 1995 erdhi në jetë Ruben Saraiva.
Jeta e familjes Saraiva e cila më pas u zhvendos në Londër, aty ku thuhet se në vitin 2004 ata blenë në zonën e South Reading, një apartament në vlerën e 150 000 stërlina. Jetesë e cila duket se u përball me vështirësitë e veta.
Pasi në moshën 17 vjeçare, prindërit e Ruben Saraiva vendosin të divorcohen me njëri-tjetrin. Këtu ku nisin edhe problemet e para me ligjin të Ruben. I cili në vitin 2013, fillimisht dënohet nga një gjykatë në Londër, me 9 muaj shërbim prove, pasi pranoi akuzat se kishte për qëllim të shiste 32 doza heroinë, që iu gjetën me vete.
Por edhe pse u përpoq t’i rikthehet jetës normale, duke se Ruben Saraiva ishte ndërtuar për të qenë problematik me ligjin. Fillimisht pas dënimit të parë ai nisi të jetonte me gjyshen e tij dhe të punonte në magazinën e shpërndarjes së supermarketeve ‘Tesko’.
Në vitet në vazhdim bashkë me babain e tij ai punoi si asistent- trainer në Londër, duke u mësuar fëmijëve futbollin. Por gjithmonë pa hequr dorë nga problemet me drejtësinë.
Duke u dënuar disa vite për rrahje dhe përdorim thike. Dënime të cilat çuan edhe në dëbimin e tij nga Anglia në Portugali.
Ruben Saraiva që në rrethana të panjohura rikthehet në Britaninë e Madhe, aty ku njihet me Edmond Haxhian, që thuhet se është porositësi dhe financuesi i vrasjes së Ardian Nikulaj. I cili më 14 shkurt e priti në Rinas, deri ditën kur Saraiva qëlloi mbi biznesmenin në lokalin e tij, në Shëngjin, më 19 prill 2023./ Emisioni “Në Shënjestër”














