Koncesioni i aksit rrugor Thumanë–Kashar rikthehet sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë për një praktikë që lidhet me mënyrën e aplikimit të tarifave dhe kursin e këmbimit.
Segmenti prej 21 kilometrash u dha me koncesion si investim privat, ku kompania përfituese merr të drejtën të vjelë tarifë kalimi për automjetet për një periudhë 35-vjeçare. Fillimisht, në garën e vitit 2018, parashikohej një investim prej 225 milionë euro pa TVSH dhe një kosto totale për buxhetin e shtetit prej 455 milionë euro në 13 vite.
Megjithatë, pas një serie zhvillimesh ligjore dhe një vendimi të Gjykatës Administrative të Apelit në vitin 2021, që i dha të drejtë koncesionarit, procedura u rihap dhe kontrata u rinegociua nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në variantin e ri, afati i kontratës u zgjat nga 13 në 35 vite dhe të ardhurat e parashikuara për koncesionarin arritën në rreth 1 miliard e 307 milionë euro.
Ndryshe nga kushtet fillestare të tenderit, ku nuk parashikohej tarifë, kontrata e re lejon vendosjen e pagesës për kalimin në rrugë. Aktualisht, tarifa për automjetet është 2.5 euro me TVSH.
Ku qëndron abuzimi?
Sipas kontratës koncesionare, tarifa në lekë duhet të llogaritet bazuar në kursin zyrtar të këmbimit të Banka e Shqipërisë në datën e fillimit të operimit.
Pagesa në këtë aks nisi më 4 janar 2025. Kursi zyrtar i fundit në atë moment (31 dhjetor 2024) ishte 98.15 lekë për 1 euro. Kjo do të thotë se tarifa për automjetet duhet të ishte rreth 245 lekë.
Në praktikë, qytetarët paguajnë 250 lekë.
Diferenca prej rreth 5 lekësh për çdo kalim mund të duket e papërfillshme për individin, por në shkallë vjetore prodhon efekte të konsiderueshme financiare.
Sipas të dhënave të vetë koncesionarit në studimin e fizibilitetit, të ardhurat e vitit të parë nga tarifat parashikohen rreth 26.85 milionë euro. Ndërkohë, të dhënat e buxhetit tregojnë se kjo shifër është tejkaluar dhe shteti nuk ka paguar subvencion.
Duke marrë në konsideratë fluksin e mjeteve dhe diferencën prej 5 lekësh për pagesat në monedhën vendase, përfitimi i padrejtë llogaritet të jetë të paktën 500 mijë euro në vit, nëse shumica e përdoruesve paguajnë në lekë.
Për dy vite operim, kjo shumë shkon në rreth 1 milion euro.
Pagesa në euro? Jo gjithmonë e mundur.
Edhe pse kontrata parashikon mundësinë e pagesës në euro, testimet në terren tregojnë se sistemi i pagesës shpesh faturon në lekë, edhe kur përdoret kartë bankare në euro. Kjo kufizon praktikisht zgjedhjen e përdoruesve dhe forcon aplikimin e kursit të diskutueshëm.
Nga një diferencë minimale për qytetarët, skema rezulton në një përfitim të konsiderueshëm për koncesionarin, ndërsa një pjesë e të ardhurave përfundon edhe në buxhet përmes TVSH-së.
Në këto kushte, mbetet pyetja thelbësore: A kemi të bëjmë me një praktikë abuzive që cenon drejtpërdrejt interesin publik?/ Piranjat News














