• Kontakt
Thursday, June 4, 2026
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Nafta shqiptare, fitime offshore, si u zhdukën miliarda nga nëntoka e vendit. Roli i ish-ministres Anila Denaj

21:15 : 03/04/2026
në AKTUALITET, EKONOMI, KRONIKE, KRYESORE

Kontrastet e Shqipërisë janë të shumta: ato hasen shpesh në politikë, jetën sociale dhe ekonomi. Jemi një vend i bekuar sa i takon klimës me 4 stinë, por prodhojmë shumë pak bujqësi, kemi male dhe det por një turizëm kaotik, kishim fabrika e uzina, por në vend që të rritnim investimet në teknologji, i shkatërruam.  Jemi një vend me nëntokë të pasur me burime natyrore dhe naftë, por kemi çmimet e karburantit më të larta në Europë.

Dhe ne sot përmes historisë së kompanisë koncesionare, Bankers Petroleum, do të shpjegojmë se këto kontradikta rrjedhin nga keqqeverisja dhe korrupsioni.

Në vitin 2004 qeveria socialiste e Fatos Nanos vendosi të japë me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse në Shqipëri, Patos-Marinzën.Në kontratë, u vendos që çdo fitim nga nafta që dilte nga nëntoka e shqiptarëve do të duhej që të ndahej përgjysmë me ta: 50% të fitimit do ta mbante kompania dhe 50% do të paguhej në buxhetin e shtetit.

Kjo kontratë shfrytëzimi, si shumë të tjera, solli prishjen e gjithë zinxhirit të furnizimit me naftë në vend, duke i hequr shtetit rolin si prodhues përballë grosistëve të importit.

Çmimet u rritën dhe konsumit të karburantit iu shtuan taksat.

Lexo edhe:

Rritet sërish çmimi i naftës

Deri në 35 ditë për kompensimin e naftës, operatorët përballen me procedura të gjata verifikimi

Politikat fiskale për rritjen e taksave synojnë realizimin e shpenzimeve publike duke mbajtur një deficit sa më të ulët, ndaj pyetja që shtrohet është nëse nafta që ka toka shqiptare ka shërbyer që jo vetëm taksat për karburantin të ulen, por të paktën të mos ishin rritur?

Sipas disa raporteve auditimi të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Drejtorisë së Tatimeve, kompania e shfrytëzimit të naftës ka fryrë shpenzimet dhe rezulton me humbje. Këto institucione kanë arritur në konkluzionin që Bankers duhet të derdhte për vitet 2011 dhe 2014, 118 milionë euro në buxhet, konstatim që është gjetur i drejtë edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit.

Çfarë do të thotë kjo?

Minimalisht, taksa e tatimit mbi fitimin që do të duhej të derdhte në buxhet çdo vit Bankers Petroleum do të ishte mesatarisht 50 milionë euro në vit, dhe nëse këtë shumë e shumëzojmë me 20 vitet që kompania po operon në vendin tonë, i korrespondon një shume prej 1 miliard euro që do të duhej të shkonte në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

Pra, nafta na është marrë pa na kthyer asgjë në këmbim.

Dhe kjo nuk është skema e vetme.

Një hetim i Prokurorisë Fier që po vijon nga SPAK dyshon për qindra milionë euro të tjera që Bankers Petroleum nuk i ka deklaruar fare si të ardhura në Shqipëri, por i mban në llogari bankare jashtë vendit. Nëpërmjet një skeme që quhet transfer pricing, shqip transferim i çmimit. Për ta bërë të qartë për të gjithë, Bankers themelon kompani jashtë, në juridiksione offshore, dhe naftën që eksporton ia shet firmave të saj me çmim të ulët.

Pra, ia shet lirë vetes dhe më pas po vetë Bankers, nëpërmjet firmave që ka hapur, e tregton me vlerën reale të tregut, ndërkohë që fitimin e mban në llogari jashtë, të pa tatuar dhe të padeklaruar në Shqipëri. Por sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, Bankers dyshohet se është përfshirë edhe në një tjetër skemë; ka ndihmuar kompanitë e shitjes së karburantit që të tregtojnë naftë pa taksa dhe me cilësi të ulët.

Gjatë viteve 2011 dhe 2012 kompania Bankers akuzohej nga eksponentë të rëndësishëm të Partisë Socialiste se ishte e përfshirë në skemën e naftës kontrabandë përmes importit të solarit hollues, një lloj nafte me dendësi të ulët e cila injektohet në puse gjatë procesit të nxjerrjes së lëndës hidrokarbure. Duke qenë se lënda nevojitet për nevoja prodhimi dhe jo konsumi, ishte e përjashtuar nga detyrimi për të paguar taksën e akcizës. Dhe këtu kemi një tjetër truk, sepse një pjesë e kësaj nafte që importohej për shpimin e puseve, iu shitej kompanive të pakicës që të shmangej akciza.

Dy të këqija në një.

Naftë duke shmangur taksat dhe mbi të gjitha pa cilësi.

Në vitin 2013, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Albpetrol monitoruan importin që kishte kryer Bankers për solarin dhe gjetën mospërputhje të mëdha. Në disa raste, holluesi ishte importuar në nivele të pashpjegueshme, sa 15% e prodhimit, ndërsa për periudhën dhjetor 2011–shkurt 2012 “Bankers” kishte raportuar se kishte përdorur 98 mijë metra kub hollues, ndërsa llogaritjet e stafit të Albpetrol-it argumentonin se konsumi i holluesit ka qenë vetëm 47 mijë metër kub.

Gjysma tjetër ishte hedhur në treg? Me shumë gjasa po.

Ndaj për të ndalur skemën, ligji për akcizat ndryshon dhe prej vitit 2014 koncesionari i Patos-Marinzës detyrohet të paguajë akcizën për solarin që importon, në këmbim këto shpenzime do t’i zbriteshin për efekt tatimi.

Dhe çfarë ndodh?

Prej këtij viti bie edhe konsumi i holluesit. Aq sa bie në sy edhe të Agjencisë Kombëtare të Burimeve

Natyrore, të cilët e raportojnë.

“Nga vlerësimi teknik mendohet se ende vlerat e përdorimit të holluesit gjatë vitit 2013 janë shumë të larta krahasuar me rezultatet faktike të arritura sidomos në vitin 2014 me 7.5%, vitin 2015 me 5.3% dhe sidomos në vitin 2016 me 4.3%. Janë totalisht të paargumentuara dhe të papranuara norma të tilla të përdorimit të holluesit që arrijnë në vlerat 14-15% për periudhën janar-shtator 2013, ndërkohë që për periudhën tetor-dhjetor 2013 kjo vlerë luhatet në kufijtë 8.5-9.8%.”

Por Bankers duket se është gjithmonë një hap përpara, duke gjetur një rrugë të re për të mos paguar akcizën.

Holluesi nisi të blihej në tregun vendas, kryesisht nga ARMO. Në këtë pikë doganat i dërgojnë një shkresë ku sqarojnë se edhe nëse holluesi blihet në tregun vendas, akciza duhet të paguhet. Këtu historia bëhet intriguese. Sepse Bankers kundërshton dhe vazhdon të mos e paguajë detyrimin. Në vjeshtë të 2014-s Dega e Doganës Fier vendos një detyrim prej 5.8 milionë euro për pagesë detyrimesh akcize. Këtë akt-konstatim, kompania e ankimon në gjykatë dhe këtu nis edhe një betejë e gjatë ligjore mes shtetit shqiptar dhe Bankers.

Gjykata e Shkallës së Parë i jep të drejtë kompanisë dhe vendos që detyrimi të mos paguhej.

Vendimi ankimohet edhe në Gjykatën Administrative të Apelit e cila në vitin 2017 shfuqizon sigurimin e padisë dhe lë në fuqi pjesën tjetër të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Çështja ankimohet në Gjykatën e Lartë nga Avokatura e Shtetit por edhe nga Bankers që nuk bie dakord me këtë shfuqizim të pjesshëm.

Pavarësisht nga përplasja në gjykatë, Ministria e Financave i kërkon vazhdimisht doganave vjeljen e detyrimeve korrente të akcizës për muajt dhe vitet që vazhdonin, siç janë edhe këto shkresa të dërguara nga ish-ministri Arben Ahmetaj dhe ish-zv. ministri Erjon Luçi.

Kontrollet për akcizën filluan në 2019-n, ku dega e Doganave Fier mban një akt-konstatim dhe vendos që Bankers i detyrohet 30 milionë euro shtetit shqiptar për taksën e akcizës gjatë këtyre viteve, ndërsa e penalizon me 90 milionë euro gjobë, siç sanksionon edhe Kodi Doganor penalitetin 3-fish më të lartë në rast të mospagesës së detyrimit.

Në total 120 milionë euro.

Mbase tashmë erdhi dita që koncesionari të derdhë në buxhet disa taksa. Por jo, as kësaj radhe nuk ndodh gjë.
Por kjo ndalet nga një letër që ministrja Belinda Balluku i dërgon Ministrisë së Financave për të pezulluar veprimet në vjeljen e gjobës dhe detyrimit derisa çështja të përfundonte gjykimin. Ministrja e Financave në detyrë në atë kohë, Anila Denaj merr një vendim të paprecedentë dhe urdhëron pezullimin.

Në shkelje të kompetencave që i njeh Kodi i Procedurës Administrative, pasi ministri nuk ka asnjë të drejtë të pezullojë akte tatimore e doganore dhe në shkelje edhe të dispozitave të Kodit Doganor.

Në mars të vitit 2022, Gjykata e Lartë rrëzon pretendimet e Bankers dhe i jep të drejtë shtetit shqiptar. Por gjatë këtyre 3 viteve, askush nuk kishte bërë asgjë për të marrë detyrimin që i takon buxhetit të qytetarëve shqiptarë.

Bankers e humb betejën edhe në Gjykatën Kushtetuese pas një ankimimi që depozitoi pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Por edhe pas këtij vendimi që mban datën 25 korrik 2022, 120 milionë eurot u harruan.

Askush nuk kërkoi vjeljen e detyrimit.

Do të duhej që hetimi i Prokurorisë së Fierit të kalonte për kompetencë në SPAK që ministri i Financave Petrit Malaj të hiqte pezullimin dhe të urdhëronte arkëtimin e parave 3 vjet më vonë, në shtator 2025.

Megjithatë duket se e gjithë kjo betejë po rezulton pa sukses sepse shteti shqiptar ende nuk ka arritur të marrë këto detyrime. Në dhjetor të vitit që lamë pas, pati një përplasje mes kompanisë Bankers Petroleum dhe Drejtorisë së Doganave, ku këto të fundit bllokuan puset e kompanisë që ajo të derdhte detyrimin. Por kompania pretendon se afati për të vjelë këtë detyrim tashmë është parashkruar.

Paratë ende nuk janë marrë. /Piranjat.news

Etiketa: Anila DenajBankersfitime ofshoremiliarda lekenafte

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Rritet sërish çmimi i naftës

13:15 : 02/06/2026
AKTUALITET

Deri në 35 ditë për kompensimin e naftës, operatorët përballen me procedura të gjata verifikimi

10:15 : 02/06/2026
AKTUALITET

Bordi i Transparencës ‘luan’ sërish me çmimet, ja me sa do të shitet nafta

11:37 : 30/05/2026
AKTUALITET

Sezoni i pushimeve ‘në kërcënim’, kriza e naftës po godet rëndë aviacionin

08:34 : 30/05/2026
AKTUALITET

Kompanitë e naftës paralajmërojnë padi për qeverinë: Kompensim për llogaritje të gabuar të çmimit

08:13 : 29/05/2026
AKTUALITET

Ndryshon sërish çmimi i naftës dhe benzinës

12:19 : 28/05/2026
Para

Call center-at mashtrues sfidojnë shtetin/ Heshtja e institucioneve përballë vjedhjes së miliona eurove

TË GJITHA

Horoskopi ditor për nesër, e enjte 4 qershor 2026

22:59 : 03/06/2026

Zvërneci/ Protestuesit te dera e selisë së Berishës: Opozitë e shitur!

22:51 : 03/06/2026

Sazani dhe Zvërneci/ Si po e shfrytëzon familja Trump influencën politike për tu pasuruar

22:49 : 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

22:40 : 03/06/2026

6 në 10 persona përdorin AI për shëndetin mendor

22:30 : 03/06/2026

Ushtria izraelite: Nuk e pranojmë armëpushimin në Liban!

22:18 : 03/06/2026

Jo vetëm drejtësia, ja lista e profesioneve që nuk e japin provimin e gjuhës shqipe

22:10 : 03/06/2026



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com

Grandpashabet FenerbahçeGrandpashabet ekşimatbetjojobetjojobetbetpark girişJojobetJojobet girişMarsbahis GirişJojobetbetparkbetparkCasibom