Nga Boldnews.al
Pas shkarkimit “me dorëheqje” të Ilir Prodës, Ministria e Brendshme shpalli në fillim të kësaj jave garën për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Sipas njoftimit zyrtar, kandidatët që dëshirojnë të marrin postin e kryepolicit, duhet të dorëzojnë aplikimet dhe dokumentacionin përkatës brenda datës 11 mars 2026.
Ndërkohë që procedurat bazohen në kuadrin ligjor, ajo që duket se do të ndodhë edhe kësaj radhe, nuk bën diferencë nga garat e mëparshme-gjithçka duket e paracaktuar. “Boldnews.al” ka siguruar të dhëna, të cilat flasin se emri i preferuar për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është Elidon Çela, aktualisht Drejtor i Policisë së Vlorës.
Në vijim të informacioneve konfidenciale të siguruara nga redaksia vjen edhe një detaj interesant.
Ministria e Brendshme, në shpalljen e garës, thotë që kandidatët duhet të dorëzojnë setin e dokumentacionit aplikues nëpërmjet postës së thjeshtë ose postës elektronike (e-mail).
Por, Çela duket se ka zgjedhur një rrugë tjetër për të bërë të ditur “aplikimin” e tij. Ai është paraqitur të mërkurën e kësaj jave në ambjentet e Ministrisë së Brendshme.
Natyrisht, nuk ka pasur dosje e dokumenta me vete, por, fakti që, njëri prej kandidatëve më potencialë për Kryepolic, paraqitet në institucionin që ka shpallur procedurën e kandidimit, vetëm një ditë pasi u shpall gara, përforcon më tej dyshimet se Elidon Çela është “i paracaktuari”.
Elidon Çela njihet brenda radhëve të Policisë së Shtetit si një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të ish-drejtorit të Përgjithshëm, Ard Veliu, ky i fundit i etiketuar si “Kambalja”.

Në vitin 2024, Ilir Proda e emëroi Elidon Çelën në krye të Policisë së Vlorës. Pas dështimeve në seri me ngjarjet e rënda, Policia e Vlorës, nën drejtimin e Çelës, është bërë “më e dukshme” në media së fundi, duke raportuar ngjarje mediokre, të cilat, edhe pse janë të nevojshme, janë aq rutinore sa nuk kanë krijuar asnjë lloj mjedisi të sigurt në qytetin bregdetar.
Megjithatë, Elidon Çela duket se ka mbështetjen e duhur për t’u ulur në karrigën e Drejtorit të Policisë. Në krah të tij është, si gjithnjë, Ardi Veliu, i cili, pas largimit nga posti i kryepolicit, u sistemua nga Kryeministri Edi Rama në detyrën e administratorit të Agjencisë Shtetërore të Prodhimit të Armëve, Kayo.














