Në vijim të hetimeve për vrasjet e bujshme që tronditën Durrësin më shumë se një dekadë më parë, këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme është marrë në pyetje Petrit Qoli, vëllai i Festim Qolit.
Në dëshminë e tij para SPAK, ai ka dhënë detaje mbi aktivitetin e të vëllait, konfliktet e krijuara rreth një karburanti në Shkozet, si dhe marrëdhëniet me familjen Deda, ku në qendër janë vrasjet e Elvis Dedës në vitin 2012 dhe të nënës së tij, Fatmira Deda, një vit më pas. Sipas prokurorisë, përplasjet për interesa financiare dhe konflikti për një karburant në shkozet janë bërë shkak për krimet e rëndë.
Dëshmia e Petrit Qolit në SPAK është siguruar nga gazetarja e Vizion Plus, Blerina Cene.
Pjesë nga dëshmia
-Keni dijeni për probleme me drejtësinë që mund të ketë patur Festimi?
Petrit Qoli: Nuk merresha me problemet e tij. Festimi është përgojuar që ka gjuajtur Titin, e ca të tjerë. Atij i pëlqente të njihej për këto. Është akuzuar për Loshin, për djalin e Fatmira Dedës. Por nuk e ka bërë.
-Kush është ky Loshi, i biri i Fatmirës?
Petrit Qoli: Vinte te anija ime, merrte naftë qyl. Loshi është bërë për rahmet. Nuk më vjen keq fare. E dëgjova në televizor. Fatmirën e kam takuar 3 herë në jetën time. Njoh Besnik Dedën, vëllain e Fatmirës, legjendë e kapitenëve të anijeve. I shkova për qokë për kafe ngushëllimi. Tre herë e kam takuar gjithsej Fatmirën. Një herë e takova te karburanti në Shkozet se merrja karburant aty. Festim Qoli e administronte këtë karburant me Fatmirën. E kishte blerë Festimi nga kush nuk e di. I ka shitur një Gëzimi më pas. Kur e ka blerë nuk e di. I ka marrë para borxh Loshit. Kujtim Hasa ka qenë menaxheri.
E ka blerë i vetëm në fillim vëllai. Më pas këta u ftohën, me Ervis Dedën, (Loshin) për dy vajza. Ata bënin jetë të shthurur.
Arsyeja e martesës së Loshit, studentja ka qenë e dashuruar. Loshi i kërkoi lekët që kishte marrë borxh Festimi, ky i tha kur t’i gjej do t’i jap.
Më tha Loshi mua që duhet të më japë lekët e karburantit. Nuk e di sa ishte shuma e lekëve. Nuk doja t’ia dija fare. Festimi nuk ma ka thënë, nuk kisha marrëdhënie të tillë me Festimin. Nuk e di kush e ka vrarë. Vetëm llafe njerëzish. Loshi ka vjedhur drogë thonë. Ca të tjerë që kishte florinj në makinë a drogë. Unë nuk rroj i mbyllur, prokuror, në Durrës rroj. Marrim vesh gjëra, të gjithë thonë ndonjë gjë. Historia e drogës filloi të flitet para se të vritej Mond Çekiçi. Kam respekt, më ka ardhur në shtëpi për iftar.
14 vjet duhet të ketë që është vrarë. E pashë te titrat e televizorit. E kishin nxjerrë foton. Kisha hallin e vëllait tim. Shkova te karburanti, nuk e gjeta në karburant. Gjeta punëtorët. E kam takuar vëllain pas 3 javësh. Shkova për ngushëllim pas të shtatave. Nuk e di ku ka qenë. Nuk ka qenë te prindërit. Nuk u interesova ku ishte. Nuk ka shokë të ngushtë në Durrës. Festimi i ka çuar tapi Fatmirës, si bashkëpronare, për arsye se Fatmira kishte deklaruar në polici që Festimi kishte vrarë Ervisin. Ma tha më pas Festimi këtë.
Kur vajtëm për ngushëllim me babain, Fatmira i tha më fal se kam akuzuar Festimin nga tronditja. Isha unë, Agroni, babai, mamaja. Festimi ishte në kërkim policor. Babai i tha Fatmirës, nuk ka gjë mjafton të gjendet kush e ka vrarë. E mora vesh që e kishte thënë në polici, e di sa miq policë kam unë o prokuror?
-E pyete Festimin pse të ka akuzuar Fatmira?
Petrit Qoli: Më tha dyshon se mos ngaqë jemi ftohur. Pasi Festimi i ka dërguar kontratën, tha që Fatmira u qetësua. E shkreta. Rahmet të ketë.
-Si është vrarë Ervisi si e zbulove?
Petrit Qoli: Ma thanë njerëzit.
-Cilët njerëz? Sa njerëz?
Petrit Qoli: Vëllai ma ka thënë, Festimi.
-Kush e vrau Fatmira Habilajn?
Petrit Qoli: Nuk kam shkuar në varrim. Nuk kam shkuar nga turpi i kapitenit, Besniku, vëllai i saj.
Di që vrasësi ka hyrë dhe ka marrë sende me vlerë. E kam dëgjuar në media. Është vrarë te garazhi ku kishte shtëpinë. Makina ishte e zezë, nuk e dalloj markën, e kishte të re akull, ia kishte blerë i biri.
Te pallati ku u vra, kam zyrat. Unë qenë me familjarët e mi. Isha në timon në Përrenjas, isha duke ikur në Pogradec. Më tha kushëriri im në telefon kanë vrarë nënën e Ervisit, kërkon policia Festimin. I thashë ç’më duhet mua me Festimin.
Festimin e kam takuar më pas. Nuk e mbaj mend sa kohë më pas. Pas vdekjes së të birit, Fatmira shkonte herë pas here te karburanti për ato llogaritë.
-Talo Çela ka qenë emër i dëgjuar për ju në vitet 2012–2013?
Petrit Qoli: Nuk e njoh, nuk kam folur kurrë në telefon. Nuk njoh asnjë nga hasmit e Nuredin Dumanit.













