Ngatërresat institucionale në Shqipëri nuk janë të reja, por rasti i fundit në Varret Monumentale Ilire të Selcës së Poshtme ngre shqetësime serioze mbi mënyrën se si trajtohet trashëgimia kulturore edhe nga institucionet ligjzbatuese.
Një ditë më parë, banorët e zonës njoftuan inspektorin e policisë se disa persona po kryenin gërmime të paligjshme në këtë sit arkeologjik. Bëhet fjalë për një zonë të shpallur me Vendim të Këshillit të Ministrave “Zonë Arkeologjike e Rëndësisë A”, që përfaqëson nivelin më të lartë të mbrojtjes ligjore dhe vlerë kombëtare të pazëvendësueshme.
Pas njoftimit, policia ndërhyri në zonë dhe konstatoi në flagrancë tre persona, ndërsa një i katërt u largua nga vendngjarja. Ky zhvillim vjen pas të paktën tre episodeve të dhunimit të këtij siti brenda dy muajve, ku më herët nuk ishte identifikuar asnjë autor.
Në vendngjarje, sipas burimeve, ka qenë edhe arkeologu Florenc Cenolli, një nga specialistët më të njohur të juglindjes së vendit, i cili ka përgatitur një raport profesional mbi dëmet e shkaktuara në sit.
Megjithatë, reagimi zyrtar i Policisë ka ngjallur polemika. Në deklaratë, rasti përshkruhet si “dhunim varresh” dhe “shkatërrim prone”, ndërsa gërmimet cilësohen si “gropa të vogla”, pa asnjë referencë për faktin se bëhet fjalë për sit arkeologjik të mbrojtur ligjërisht apo për dëmtim të veprave të kulturës.
Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, në Nenin 160, parashikon qartë se dëmtimi i monumenteve të kulturës dhe siteve arkeologjike dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vjet, ndërsa kur bëhet fjalë për vepra me rëndësi kombëtare, dënimi shkon deri në 8 vjet burgim.
Varret Monumentale Ilire të Selcës janë vepra kulture me rëndësi kombëtare. Nuk janë “varrezë publike”, nuk janë pronë private dhe as nuk mund të relativizohen si “gropa të vogla”. Fotot, mjetet e sekuestruara dhe thellësia e gërmimeve flasin qartë për dëmin e shkaktuar.
Trajtimi i këtij rasti me kualifikime të lehta penale rrezikon të krijojë precedent të rrezikshëm për të gjitha sitet arkeologjike në vend, duke minimizuar dëmin real dhe duke ulur ndjeshëm pasojat ligjore për autorët.
Në këtë kontekst, kërkohet ndërhyrja e DRTK Korçë dhe Ministrisë së Kulturës, Turizmit dhe Sportit, për:
- rikualifikimin e veprës penale,
- zbatimin e Nenit 160 të Kodit Penal,
- dhe marrjen e masave urgjente për mbrojtjen fizike të sitit.
Në të kundërt, trashëgimia arkeologjike rrezikon të mbetet vetëm në libra, ndërsa në terren të mbizotërojnë “gropat e vogla”.
Njoftimi i Policisë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit Xh. M., 41 vjeç, B. M., 37 vjeç dhe Dh. S., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhunimi i varreve” dhe “Shkatërrimi i pronës”, kryer në bashkëpunim.
Sipas Policisë, në fshatin Selcë e Poshtme, Pogradec, në afërsi të vendit të quajtur “Varret Ilire”, shtetasit u konstatuan me një pajisje të dyshuar si detektor për kërkimin e thesareve, duke kryer gërmime në disa gropa të vogla me një vegël pune. Sendet e përdorura prej tyre u sekuestruan në cilësinë e provës materiale./Publik.al














