Kjo tablo tregon një sistem ndjekjeje ligjore të ngadalshëm dhe të fragmentuar, ku hetimet nuk arritën të parandalojnë ndërtimet, por thjesht i pasuan ato – duke reflektuar më shumë një reagim pas fakti sesa një kontroll të mirëfilltë mbi territorin.
Nga ana tjetër Gjykata e Shkodrës si hallka e fundit e sistemit të drejtësisë nuk mundi t‘i identifikojë rastet sipas zonave të qarkut që mbulon. Nga të dhënat zyrtare rezulton se në periudhën 2019 – qershor 2025 janë dhënë mbi 620 vendime, prej të cilave rreth 97% kanë përfunduar me dënim, por pa i specifikuar.
“Autoriteti Publik – Gjykata nuk disponon të dhëna të përpunuara mbi vendndodhjen e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme (siç është zona e Thethit), pasi ky informacion nuk pasqyrohet në regjistrat gjyqësorë”, thuhet në përgjigjen zyrtare për Median Amfora.
Kjo do të thotë se, edhe pse vendimet ekzistojnë në letër, nuk është e mundur të përcaktohet se sa prej tyre lidhen realisht me Thethin – një tjetër boshllëk institucional që e bën të vështirë të matet ndikimi i drejtësisë në territor.
Mungesa e kontrollit në Theth nuk kufizohej vetëm në aspektin mjedisor, por shtrihej edhe mbi trashëgiminë kulturore të zonës. Në përgjigjen për Median Amfora, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) deklaroi se “nuk ka pasur asnjë kërkesë për restaurimin e objekteve me status monument kulture nga zona e Thethit në pesë vitet e fundit”.
IKTK konfirmon gjithashtu se në Theth ndodhen katër objekte me status monument kulture – ndër to banesat karakteristike dhe kullat historike – por asnjë prej tyre nuk ka kaluar në proces restaurimi gjatë viteve të fundit.
Në praktikë, kjo do të thotë se ndërsa peizazhi kulturor ndryshonte përmes ndërtimeve të reja, vetë trashëgimia e mbrojtur mbeti pa kujdes institucional.
Strategjitë e zhvillimit që u përplasën me realitetin
Edhe pse dokumentet strategjike të shtetit parashikonin një zhvillim të qëndrueshëm në Alpet Shqiptare, realiteti në Theth ndoqi një rrugë krejt tjetër.
Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024 – 2030 dhe Plani Kombëtar Sektorial për Alpet e Shqipërisë e dentifikojnë këtë zonë si një nga polet kryesorë të turizmit natyror dhe kulturor, ku çdo ndërhyrje duhej të ishte minimale, tradicionale dhe e kontrolluar.
“Thethi duhet të zhvillohet në përputhje me karakterin historik, përmasat tradicionale dhe ruajtjen e peizazhit kulturor e natyror”, thekson PKST Alpe, duke paralajmëruar se rritja e ndërtimit të pakontrolluar “rrezikon integritetin ekologjik dhe vlerat e mbrojtura të parkut”.
Por në mungesë të mbikëqyrjes dhe zbatimit, këto parime mbetën vetëm në letër. Në terren, ndërtimet u shtuan pa standarde të qarta dhe përmasat e tyre tejkaluan kapacitetin mbajtës të parkut, duke e kthyer Thethin nga një model zhvillimi të qëndrueshëm në një zonë të mbingarkuar turistikisht.
Pas prishjeve – gjurmët e ndërtimeve të paligjshme në Theth. Foto: Media Amfora
Megjithëse ligji përcakton se administrimi i zonave të mbrojtura është përgjegjësi e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZ) dhe strukturave të saj rajonale, në praktikë, Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, që përfshin edhe Thethin, funksionon ende pa një plan menaxhimi. Kjo do të thotë se prej vitesh, ndërhyrjet janë bërë në mungesë të një udhëzimi të përbashkët për ruajtjen e ekuilibrit mes zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
Në përgjigjen për Median Amfora, AKZM pranon se kontrolli i territorit në Theth kryhet “përmes patrullimeve të stafit dhe raporteve periodike për shkelje të mundshme”, duke theksuar se “kapacitetet njerëzore dhe logjistike janë të kufizuara”.
Në praktikë, menaxhimi i Thethit si pjesë e Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” ka mbetur në vakum institucional. Vetë Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) pranon se parku “aktualisht nuk ka një plan menaxhimi”, edhe pse ky i fundit është dokumenti bazë që përcakton se si duhet të ndërthuren zhvillimi turistik dhe ruajtja e ekosistemit. Në mungesë të këtij udhëzuesi, kontrolli i territorit është bërë përmes patrullimeve të stafit lokal dhe raporteve periodike, por me “kapacitete njerëzore dhe logjistike të kufizuara”, siç thekson vetë institucioni në përgjigjen për Median Amfora.
Ky boshllëk ka krijuar një situatë ku ligji ekziston, por zbatimi është i pjesshëm. Në terren, ndërhyrjet ndodhin më shpejt sesa reagimet institucionale, ndërsa koordinimi mes strukturave është i dobët. AKZM shpjegon se bashkëpunimi me Policinë, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Prokurorinë zhvillohet “në kuadër të detyrave të ruajtjes së rendit dhe kontrollit të territorit”, por pranon se sfidat kryesore lidhen me presionin turistik dhe me mungesën e ndërgjegjësimit të komunitetit.
“Administrimi dhe ruajtja efektive e zonave të mbrojtura në Shqipëri paraqet sfida të vazhdueshme, që lidhen me zhvillimet e pakontrolluara dhe kapacitetet e kufizuara të administratës në terren”, thuhet në përgjigjen zyrtare të AKZM-së.
Për Dr. Aida Ciro, ky është një shembull klasik i një menaxhimi që nuk arrin të përballojë vrullin e zhvillimit: “Kur politika nxit turizmin pa i paraprirë me plane menaxhimi, rezultati është përplasje mes ligjit dhe interesit ekonomik”, u shpreh ajo. Sipas saj, “mungesa e planit të menaxhimit në një zonë me fluks kaq të lartë tregon se shteti ka vepruar me sy mbyllur përballë zhvillimit që vetë e inkurajoi”.
Në këtë boshllëk, roli i komuniteteve lokale është kthyer në një element simbolik. AKZM e pranon se banorët shpesh veprojnë si “roje informale” të parkut, duke sinjalizuar shkelje ose ndërhyrje të paligjshme, por kjo ndodh më shumë përmes vullnetit individual sesa përmes një strukture të organizuar. “Në shumë raste, ndërhyrjet e paligjshme ndodhin për shkak të mungesës së informacionit apo kulturës mjedisore”, sqaron institucioni, duke theksuar nevojën për forcimin e edukimit dhe ndërgjegjësimit komunitar.
Sipas Ciros, ky është një nga dështimet më të dukshme të menaxhimit publik në zona të ndjeshme: “Banorët janë përfshirë vetëm si përfitues ekonomikë, jo si partnerë në vendimmarrje. Kur një komunitet nuk e di ku fillon zona e mbrojtur dhe çfarë lejohet brenda saj, atëherë shteti ka dështuar në rolin e tij themelor – informimin”, shpjegoi ajo.
Në thelb, Thethi është bërë shembulli më i qartë se si një park kombëtar mund të degradojë nën peshën e politikave të papërfunduara dhe mungesës së koordinimit, duke treguar se mbrojtja e territorit nuk mund të bazohet vetëm në ligje, por kërkon prani të vazhdueshme, plan dhe përgjegjësi të ndarë qartë. Në një vend ku strategjitë ekzistojnë në dokumente, por jo në praktikë, Alpet shqiptare – me Thethin në qendër – po tregojnë se zhvillimi pa kontroll është po aq shkatërrues sa mungesa e zhvillimit vetë.














