Moti i keq me reshje të dendura shiu që ka pushtuar vendin prej mbrëmjes së kaluar ka shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit.
Dëmet e para u raportuan në Lezhë, ku lagja “Besëlidhja”, u zgjua nën pushtetin e ujit. Rrugët kanë qënë thuajse totoalisht të pakalueshme nga makinat dhe këmbësorët pasi niveli i ujit ishte shumë i lartë.

Pas Lezhës problematika janë regjistruar edhe në Shkodër. Pesë automjete me nëntë persona në bord mbetën të bllokuar në aksin rrugor Breg Lumi–Theth, rreth 100 metra larg urës së fshatit Gimaj, pasi një masiv inertesh u shemb mbi rrugë si pasojë e reshjeve të dendura.
Në Krujë janë përmbytur tokat bujqësore në fshatrat Bilajmm Murqinë e Mallkuc. Situata më problematike paraqitet në Murqinë, ku uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha tokë dhe rrezikohet përmbytja e disa banesave.

Në Vlorë erërat e fuqishme kanë rrëzuar një pemë shumë vjeçare në zonën pranë rrugës kryesore, duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe automjetet.
Problematika ka pasur edhe në Pyllin e Sodës, disa pisha janë rrezuar nga era duke bllokuar segmentin që të shkon në fshatin Zvërenc, ndërsa qarkullimi është vështirësuar deri në ndërhyrjen e strukturave bashkiake.
Ndërkohë, edhe në rrugën e Plazhit të Vjetër, një pemë e madhe ka rrezikuar kalimtarët dhe automjetet dhe për pasojë, një krah i rrugës është bllokuar përkohësisht.

Në Malësi të Madhe, një banesë dykatëshe është djegur si pasojë e një rrufeje. Zjarri ka rënë rreth orës 02:00 të natës në shtëpinë e Zef Preknicaj. Banesa është shkrumbuar plotësisht duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Në Fier, moti i keq ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Për shkak të erës së fortë rreth orës 5 :00 të mëngjesit të sotëm ka patur ndërprerje të energjisë elektrike ne disa zona rurale si, nënstacioni i Poçemit në Mallakastër, fideri i Matkës në Roskovec , në Mbrostar dhe Gorishovë në bashkinë e Fierit.
Meteorologët kanë lajmëruar se situata e motit pritet të jetë kritike. Sipas tyre priten rrebeshe të forta shiu, stuhi e rrufe ndërsa në fundjavë pritet të ketë edhe reshje dëbore.














