Qeveria laburiste nën drejtimin e Keir Starmer ka prezantuar një paketë reformash të gjerë në sistemin e azilit, më të mëdha në dekada. Ndër ndryshimet kryesore, statusi i refugjatit do të jetë i përkohshëm, që do të thotë se njerëzit mund të kthehen në vendin e tyre kur kushtet ta lejojnë, ndërsa pritja për vendosje të përhershme do të shkojë nga 5 në 20 vjet.
Përdorimi i inteligjencës artificiale do të futet për të vlerësuar moshën e aplikantëve, me qëllim të parandalohen aplikime të rreme nga të rritur që deklarojnë se janë nën 18 vjeç.
“Ne kemi një sistem që është jashtë kontrollit”, tha të dielën Sekretarja e Brendshme Shabana Mahmood, e cila ka origjinë nga Pakistani.
CNN raporton se pas një vere protestash jashtë hoteleve për azilkërkues dhe demonstratave kundër imigracionit në Londër, qeveria ka njoftuar masa për të kufizuar kalimet e paligjshme me anije të vogla nga Franca dhe për të kthyer refugjatët në vendet e tyre të origjinës kur të jetë e sigurt.
Nga marsi 2024 deri në mars 2025, kërkesat për azil arritën 109,343, një rritje prej 17% krahasuar me një vit më parë, raporton Reuters. Megjithatë, kjo shifër mbetet më e ulët se në Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë, vende me popullsi të ngjashme.
Ndërkohë, numri i migrantëve që mbërrijnë ligjërisht në vend ka rënë ndjeshëm. Nga qershori 2022 deri në qershor 2023, 906,000 njerëz mbërritën në Britani, ndërsa në vitin pasues ishin 431,000, për shkak të rregulloreve më të rrepta.














