Qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur paraditen e sotme në një protestë kundër ndryshimeve ligjore që prekin konceptin e familjes dhe edukimin gjinor në shkolla.
Me pankarta në duar ata janë mbledhur në Sheshin Skënderbej në një marshim paqësor, teksa kanë shprehur kundërshtinë e tyre në lidhje ligjin.
Teologu Sokol Kondakçiu, në fjalën e tij para protestuesve deklaroi se ligji fut një koncept të ri për gjininë, duke e nxjerrë atë nga konteksti natyral dhe kuptimor, dhe e cilësoi si një projekt “antinjerëzor” që cenon martesën, fëmijët dhe vlerat tradicionale.

“Nëse kjo kulturë e huaj hibride që po mundohen ta fusin në Shqipëri, do të kishte ekzistuar më përpara, njerëzimi nuk do të ekzistonte. Sepse është projekt antinjerëzor, kundër njerëzimit, kundër martesës, kundër fëmijëve dhe kundër çdo gjëje tjetër të mirë që ne kemi deri tani”,- është shprehur teologu.
Ndërkohë një tjetër aktiviste ka thënë se familja, si institucioni themelor i shoqërisë, po sulmohet nga propaganda ideologjike që ka zëvendësuar arsyen, duke e çuar shoqërinë në një pikë ku duhet të justifikojë identitetet themelore si burri dhe gruaja.

“Familja është institucioni themelor i shoqërisë dhe ligjet duhet të bëhen për ta mbrojtur dhe për ta fuqizuar rolin e saj, edukues të fëmijëve, jo për t’ia cënuar apo marrë asaj këtë rol të pazëvendësueshëm që i është dhënë nga vetë Zoti. Ky ligj dëshmon më së miri se si propaganda ideologjike ka zënë vendin e arsyes, aq sa sot jemi të detyruar të japim arsye sepse gruaja është grua dhe pse burri është burrë”,- është shprehur aktivistja.
Ligji për Barazinë Gjinore i kaluar në Kuvend pak ditë më parë është shoqëruar me diskutime dhe kundërshti edhe mes analistëve të cilët e kanë cilësuar si ligj anti kombëtar.














