Prej më shumë se dy vitesh, Shqipëria ndodhet pa mbështetjen financiare të fondeve IPARD, programi më i rëndësishëm që Bashkimi Europian që ofron për zhvillimin rural në vendet kandidate.
Në gusht të vitit 2023, Komisioni Europian ndërpreu financimet për shkak të keqpërdorimeve dhe parregullsive të konstatuara nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), pas hetimeve që zbuluan raste korrupsioni, favorizimesh dhe ndërhyrjesh politike në skemën IPARD II.
Edhe Pogres-Raporti i Komisionit Europian i vitit 2025 e shpreh qartë se Shqipëria nuk është e përgatitur për të nisur zbatimin e IPARD III.
Në dokument thuhet se: “Është e nevojshme të rritet kapaciteti dhe mbikëqyrja për të nisur dorëzimin dhe zbatimin efikas të IPARD III, në përputhje të plotë me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar”.
Komisioni vëren gjithashtu se nuk është bërë përparim në përafrimin e legjislacionit për politikën e cilësisë me acquis-in e BE-së.
Sipas vlerësimit, Shqipëria duhet të forcojë institucionet që menaxhojnë fondet e zhvillimit rural, duke siguruar transparencë, mbikëqyrje dhe llogaridhënie në procesin e zbatimit.
Megjithatë, pavarësisht kësaj situate, ministri i Financave, Petrit Malaj u shpreh me tone optimiste gjatë diskutimeve për projektbuxhetin në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, duke premtuar se fondet IPARD III do të hapen gjatë vitit 2026.
“Për shkak të disa parregullsive që u identifikuan në fazën e dytë, Komisioni Evropian la disa masa të cilat duhet t’i përmbushte qeveria shqiptare. Masa të cilat ne jemi duke i përmbushur dhe jam shumë optimist se IPARD III do të hapet gjatë vitit 2026” tha Malaj.
Fonde të bllokuara, fermerë të pambështetur
Për më shumë se 26 muaj, mungesa e fondeve IPARD ka lënë një boshllëk të ndjeshëm në bujqësinë shqiptare. Këto fonde synonin modernizimin e fermave, rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e zonave rurale. Qeveria pretendon se ka kompensuar këtë mungesë me fonde nga buxheti i shtetit, por ekspertët e sektorit e shohin këtë si mbështetje të pamjaftueshme.
Për ekspertin e bujqësisë Alban Çakalli, ky sektor është në gjendje “kome” prej 30 vitesh dhe ka nevojë për vëmendje dhe mbështetje, në mënyrë që të japë kontribut në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Duhen 250 milion euro subvencione direkte në vit, vetëm për funksionimin bazë. Si dhe mbështetje financiare për investime në laboratorë, sisteme moderne ujitjeje, kullim, rikonstruksion digash dhe rrugë rurale.”
Çakalli e sheh situatën me një qasje të gjerë rajonale, duke theksuar se problemet e IPARD nuk janë të izoluara vetëm në Shqipëri: “IPARD në vendet e Ballkanit ka pasur probleme të theksuara sepse Brukseli e bazoi skemën duke marrë shembull vendet e zhvilluara. Por, Ballkani është një tjetër realitet, ku fermeri, përpunuesi dhe grumbulluesi janë të vegjël dhe nuk kanë pasur mundësi të përthithin fonde.”
Shqipëria, në krye të listës së abuzimeve me fondet e IPARD
Skandali i abuzimeve doli në pah pas raportit të Komisionit Europian, ku rezultoi se 47 milionë euro fonde të IPARD janë keqpërdorur nga 7 vende të Ballkanit Perëndimor. Nga Shqipëria janë identifikuar 33.5 milionë euro parregullsi, shumë më tepër se vendet si Serbia, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi.
Abuzimet përfshinin projekte të paidentifikueshme në terren, fonde që përfunduan në hotele, hostele se nuk janë fare në funksion të bujqësisë apo blegtorisë në vend. Edhe më parë, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore kontaktoi fermerë të vegjël dhe të mesëm në të gjithë Shqipërinë në një përpjekje për të gjetur një histori suksesi, por shumica e tyre nuk kanë pasur asnjë akses në programin IPARD apo edhe në programe të tjerë që qevria i ka ngritur për të plotësuar vakumin e konsiderueshëm të lënue nga pezullimi iskemës së BE.
Në fondet IPARD, rreth 146 milionë euro ishin programuar të disbursoheshin në Shqipëri për periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2027. Sipas AZHBR, programi IPARD II ishte gjithsej 94 milionë euro, nga të cilat 71 milionë euro ishin financim nga BE. Gjatë zbatimit të tij nga viti 2014 deri në vitin 2020, u bë e mundur të disbursoheshin 54.3 milionë euro. Në 4 thirrjet e programit, përfituan 510 aplikantë, 82 prej tyre u gjetën në shkelje dhe 17 prej tyre u kërkua të ktheheshin fondet.
IPARD III, programi që fermerët shqiptarë e presin ende me ankth, parashikon rreth 112 milionë euro mbështetje për nëntë sektorë kyç: nga infrastruktura rurale dhe ndërtimi i tregjeve, te agro-përpunimi, agro-turizmi, pylltaria, si edhe asistenca teknike dhe këshillimi profesional.
Sipas ekspertit të bujqësisë, përshtatja e skemës së fondeve me realitetin e fermës shqiptare do të jetë vendimtare: “Besoj se IPARD III do të hapet në janar të vitit 2026. Fondet që do të vijnë do të shkojnë në mënyrë të thjeshtëzuar dhe pa burokraci te fermerët realë sepse do të ketë kontrolle më të rrepta.”
Bllokimi i fondeve IPARD ka nxjerrë në pah dështimet strukturore të bujqësisë shqiptare, kapacitete të dobëta, mungesë transparence, burokraci dhe mungesë vizioni afatgjatë. Ndërsa qeveria jep premtime optimiste dhe synon vitin 2026 për zhbllokimin, Brukseli kërkon prova konkrete, ndërsa fermeri shqiptar vazhdon të përballet vetëm me rritjen e kostove dhe mungesën e mbështetjes.
/Ida Ismalaj – ACQJ – Albanian Center for Quality Journalism













