Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën do të mblidhet të hënën në orën 14:00 për të shqyrtuar dy kërkesa disiplinore, njëra nga Partia Demokratike ndaj Taulant Ballës dhe tjetra nga Partia Socialiste ndaj Sali Berishës.
Grupi parlamentar i PS-së kërkon përjashtimin e Sali Berishës për 30 ditë, pas deklaratës së tij mbi qëndrimin e ambasadorit Silvio Gonzato ndaj ligjit për barazinë gjinore.
Ndërkohë nga ana tjetër PD kërkon pezullimin e Taulant Ballës. Sipas PD-së, gjatë seancës parlamentare të 6 nëntorit, Balla ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës.
Nga ana tjetër, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur që të mos marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare që do të zhvillohen ditën e hënë.
Vendimi është marrë dje dhe u komunikuar përmes një mesazhi nga kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, i cili u ka dërguar udhëzime deputetëve të PD-së.
NJOFTIM I RËNDËSISHËM:
- Nesër, e hënë, datë 10.11.2025, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ora 12:30, NUK duhet të mungojë askush!
2. Nesër, e hënë, derisa të jetë mbledhur dhe të ketë vendosur grupi parlamentar, ASNJË deputet NUK MERR PJESË në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Ky do të jetë një reagim i përkohëshëm i grupit parlamentar nisur nga situata e krijuar në senacën e fundit, derisa Grupi Parlamentar të ketë diskutuar dhe marrë një vendim final. Pra, nesër NUK shkojmë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare.
Ju falenderoj shumë! Shihemi nesër në mbledhje!
Kryetari
Gazment Bardhi














