Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, ka dalë sot krah për krah me Edi Ramën për të promovuar “OSHEE Charge” një projekt për karikimin e mjeteve elektrike dhe transport të qëndrueshëm.
Kjo është dalja e parë e të dyve bashkë pas marrjes së Ballukut si e pandehur nga SPAK disa ditë më parë.
Balluku vijon kështu me shfaqjet publike duke anashkaluar akuzat këtë herë duke promovuar barazinë në aksesin ndaj energjisë.
Rama nga ana tjetër si gjithmonë në rolin e regjisorit, nuk zgjedh të distancohet momentalisht nga Balluku e cila është një zyrtare nën hetim, por e vendos në qendër të skenës.
Kujtojmë që prej 10 ditësh numri dy i qeverisë është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme për shkelje të barazisë në tendera, lidhur kjo me tunelin e Llogarasë.
Prokuroria e Posaçme mori te pandehur Belinda Balluku, duke duke e akuzuar për veprën penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas SPAK deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.














