Kosova mbyll procesin e votimit dhe nis atë të numërimit pa humbur kohë, për të 18 komunat që zhvilluan balotazhin e zgjedhjeve lokale, sot më 9 nëntor.
Procesi eci me ritme të shpejta dhe numërimi brenda dy orësh pothuajse kishte përfunduar në pjesën më të madhe.
Më herët, Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se në disa komuna ka përfunduar numërimi i votave për raundin e balotazhit, duke shtuar se ka nisur edhe publikimi i rezultateve.
“Nga raportimet që kemi pranuar gjatë ditës, vlerësojmë se votimi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe nuk janë raportuar ngjarje që mund të vinin në dyshim integritetin e procesit zgjedhor”, tha ai.
Në rundin e parë morën pjesë 32.64 për qind e votuesve, ndërkaq në këto komuna në rundin e parë kishin votuar 38.91 për qind.
Radoniqi paralajmëroi se shumë shpejt do të dalin me rezultatet preliminare, ndoshta rreth orës 21:00.
Në rundin e parë, qytetarët zgjodhën kryetarët në 20 komuna, informon radio Evropa e Lirë.
Ndërkaq, komunat që zhvilluan balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.
Në Gjilan prin LVV-ja
Alban Hyseni nga LVV-ja po prin në Gjilan, pasi ka fituar 59.83 për qind të votave, bazuar në numërimin e 54.89 për qind të kutive.
Arbër Ismajli nga LDK-ja ka 40.17 për qind të votave. Dallimi me vota është mbi 3.000.
Garë e ngushtë në Mitrovicë të Jugut
Në Mitrovicë të Jugut, sipas rezultateve të deritanishme, gara është e ngushtë mes Faton Pecit nga LVV dhe Arian Tahirit nga PDK.
Me 31.43 për qind të votave të numëruara, Peci është në epërsi me 54.17 për qind, ndërkaq Tahiri ka fituar 45.83 për qind. Ata kanë një diferencë votash prej 688.
Totaj pritet të fitojë në Prizren
Shaqir Totaj nga PDK pritet të marrë edhe një mandat në krye të Prizrenit, pasi pas numërimit të 75 për qind të votave, ai ka fituar 54.97 për qind.
Artan Abrashi i LVV-së ka marrë 45.03 për qind.
Rama kryeson në Prishtinë
Me 46.27 për qind të votave të numëruara, Përparim Rama nga LDK po prin në Prishtinë me 51.15 për qind të votave.
Hajrulla Çeku i LVV-së ka fituar 48.85 për qind. Bazuar në rezultatet aktuale, gara në Prishtinë vlerësohet e ngushtë.
AAK-ja e para në Klinë
Zenun Elezaj i AAK-së ka fituar 58.69 për qind të votave në Klinë, nga 64.52 për qind të votave të numëruara.
Sokol Bashota i PDK-së ka fituar 41.31 për qind të votave.
LDK prin në Dragash
Sipas numërimit të 78.95 për qind të votave, Bexhet Xheladini i LDK-së ka fituar 57.85 për qind në Dragash.
Shaban Shabani i PDK-së ka fituar 42.15 për qind në këtë komunë.
Gjini shpall fitoren në Gjakovë
Ardian Gjini, kandidat për kryetar të Gjakovës nga AAK ka shpallur fitoren në zgjedhjet lokale.
Sipas numërimit të 52.05 për qind të votave, ai ka fituar 62.32 për qind, ndërkaq kundërkandidati i tij nga LVV, Ardian Gola ka fituar 38.18 për qind.
Në Rahovec kryeson AAK-ja
Me 58.44 për qind të votave të numëruara, Smajl Latifi i AAK-së prin në komunën e Rahovecit me 58.53 për qind të votave.
Ali Dula i LVV-së ka marrë 41.47 për qind.
Pejën e merr Muhaxhiri
Sipas numërimit të 74.29 për qind të votave, Gazmend Muhaxhiri i LDK-së fiton edhe një mandat në Pejë, duke fituar deri më tani 61.4 për qind të votave.
Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga KQZ-ja, Taulant Kelmendi i LVV-së ka marr 38.60 për qind të votave.
Prebreza i LVV-së kryeson në Fushë-Kosovë
Valon Prebreza i LVV-së ka fituar 53.45 për qind të votave në Fushë Kosovë, bazuar në 54.24 për qind të votave të numëruara.
Besnik Osmani i LDK-së ka 46.55 për qind.
LVV-ja e para në Kaçanik
Me 70.45 për qind të votave të numëruara, Jeton Raka nga LVV është i pari në Kaçanik.
Sabedin Vishi i PDK-së ka 49.59 për qind të votave.
AAK shpall fitoren në Suharekë
Bali Muharremaj nga AAK ka shpallur fitoren në Suharekë.
Ai ka marrë 55.95 për qind të votave, bazuar në numërimin e 96.55 për qind. Ardian Shala i LDK-së ka fituar 44.05.
PDK e para në Vushtrri
Ferit Idrizi i PDK-së po prin në Vushtrri, pasi ka fituar 54.41 për qind të votave.
Bazuar në numërimin e 88.66 për qind të votave, Sylejman Meholli ka 45.59 për qind të votave.
LDK prin në Viti
Sokol Haliti i LDK-së ka fituar 51.47 për qind të votave në Viti, sipas numërimit të 84.38 për qind.
Arsim Ademi nga LVV ka 48.53 për qind të votave.
Lista Serbe e fiton Kllokotin
Sipas numërimit të 62.5 për qind të votave, në Kllokot, komunë me shumicë serbe, ka fituar Bozhidar Dejanoviq, nga Lista Serbe, duke marrë afër 90 për qind të votave.
Kundërkandidati i tij Sreqko Spasiq, u tërhoq nga gara ditë më parë dhe tha se do ta mbështesë Listën Serbe.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, e cilësoi si “fitore të madhe dhe historike”, pasi partia e tij ka fituar në këto zgjedhje të dhjetë komunat me shumicë serbe.














