Ushtria amerikane ka shkatërruar një anije në ujërat ndërkombëtare të Detit të Karaibeve, duke vrarë tre persona që ndodheshin në bord. Lajmin e konfirmoi Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, i cili tha se anija dyshohej se po transportonte drogë.
Në një postim në rrjetin social X, Hegseth deklaroi se mjeti lundrues drejtohej nga një “organizatë e shpallur terroriste”, por nuk ofroi prova për këtë pretendim. Ai publikoi gjithashtu një video 20-sekondëshe, jo konfidenciale, ku shihet momenti i goditjes dhe shpërthimit të anijes.
Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur prej javësh se Shtetet e Bashkuara janë “në konflikt të armatosur” me kartelët e drogës, duke i cilësuar ata si organizata terroriste ndërkombëtare.
Ky është sulmi më i fundit në një seri veprimesh ushtarake të SHBA-së kundër anijeve që lundrojnë pranë brigjeve të Venezuelës dhe në Paqësorin lindor. Deri tani, Trump ka urdhëruar dislokimin e gjashtë anijeve luftarake të Marinës amerikane në Karaibe dhe avionëve F-35 në Porto Riko, ndërsa grupi i aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford është zhvendosur gjithashtu në rajon.
Presidenti venezuelas Nicolás Maduro ka akuzuar Uashingtonin se po përpiqet ta rrëzojë nga pushteti, ndërsa familjet e viktimave të sulmeve të mëparshme kanë pohuar se shumë nga të vrarët kanë qenë civilë, kryesisht peshkatarë.













