Nga Ilir Kalemaj
Përtej retorikës politike, zhurmës, kaosit mediatik dhe vëmendjes që marrin betejat kulturore, partitë e djathta gjenerojnë politika publike më adekuate, forcojnë shtresën e mesme, nxisin konsumin dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme etj. Shembujt aktualë variojnë nga Italia fqinje, Shtetet e Bashkuara dhe deri në Argjentinën e Largët.
Ndërsa vende të tjera për shkak të koalicioneve të qendrës së majtë ose grand koalicioneve si në rastin gjerman që ka pasur stanjacion për vite me radhë kanë ngecur disi apo kanë pasur luhatje të forta, vendet që e kanë prerë me vendosmëri timonin djathtas përsa i përket politikave ekonomike, kanë pasur një rendiment më të mirë, qëndrueshmëri më të lartë, dhe rritje ekonomike më të shpejtë.
Italia në periudhën Meloni ka bërë një kthesë të fuqishme për konsolidimin afatgjatë si ekonomia e tetë më e madhe në botë dhe si e treta në Evropë bazuar në PBB-në e saj. Vetëm përgjatë vitit 2024 eksportoi 612 miliardë euro mallra dhe siguroi plot 46 miliardë dollarë sufiçit tregtar.
Ka një rrjet të dendur të ndërmarrjeve të vogla që prodhojnë nga makineritë te moda, ndërkohë që 40 portet e saj dhe 42 aeroportet e kanë si pikë kryesore të hyrjes në Evropë nga vendet e Mesdheut dhe ato Afrikane. Situata makrofinaciare e Italisë sot përfshirë vlerën e obligacioneve 10-vjeçare duket më e mirë se e Francës, diçka e paimagjinueshme disa vjet më parë.
Sistemi i saj i nxitjeve financiare sidomos për ata të huaj që zgjedhin jugun e Italisë për të dalë në pension me vetëm 7 përqind në vit, apo për ata që kërkojnë të investojnë në kërkim dhe zhvillim janë ndër më tërheqësit sot ndër vendet e BE-së ndërkohë që ndryshe nga shumica e vendeve perëndimore, por edhe vende si Shqipëria, është ende e mundur të blihen pasuri të patundshme me çmime tërësisht të justifikueshme dhe të përballueshme edhe nga të rinj në karrierë, edhe nga profesioniste që kërkojnë një pronë rezidenciale të veçantë, por edhe nga pensionistë që kërkojnë një vend për të kaluar pleqërinë. Sot Italia konkurron Portugalinë dhe Spanjën në këtë drejtim.
Për Shtetet e Bashkuara, përtej debateve të vazhdueshme që shoqërojnëçdo nismë të presidentit Trump, nga iniciativat e tij të paqes te përplasjet kulturore me të majtën radikale, ajo që vlen për këtë shkrim janë arritjet ekonomike dhe financiare në SHBA përgjatë 2025-ës. Fakti i pakundërshtueshëm është që ndër ekonomitë e mëdha, SHBA me 2.3 përqind rritje ekonomike vjetore është e treta vetëm pas Indisë dhe Kinës, ndërsa absolutisht e para ndër vendet perëndimore.
Ndonëse politikat e tij tarifore kanë gjetur kundërshti edhe përbrenda SHBA-së dhe jo vetëm nga opozita e demokratëve por janë objekt gjykimi edhe në Gjykatën Supreme, në fakt në periudhën afatshkurtër kanë rikthyer apo hapur vende pune të reja në SHBA, kanë korrektuar defiçitin tregtar, dhe kanë rivendosur fort në lojën gjeopolitike SHBA-në si primus inter partes në një rend botëror ‘mutiplex’ sikundër e ka përshkruar mjaft mirë Amitav Acharya.
Pritshmëria për periudhën afatgjatë nëse qëndrojnë si instrument i politikë së jashtme varion nga ai optimist i gjenerimit të triliona dollarëve që do të shërbenin për uljen e borxhit të jashtëm që në terma absolut me 38.3 trilionë dollarë është më i madhi sot për sot në botë.
Ndërsa pesimistët theksojnë që do të goditet nga gjykata supreme e cila do ja rikthejë eksluzivitetin e politikës tarifore kongresit ose dhe nëse vijon me autoritet presidencial do të dështojë në periudhë afatgjatë për shkak se proteksionizmi do të ngadalësojë rritjen ekonomike, do të ul konsumin, shtojë papunësinë etj.
Kjo ngelet për t’u parë por për momentin kemi rritje ekonomike të qëndrueshme që shkoi deri në 3 përqind përgjatë tremujorit të dytë të këtij viti shoqëruar me një inflacion të lehtë që shkon po te 3 përqindëshi ku disa artikuj të konsumit të përditshëm si vezët janë rritur veçanërisht shpejt.
Argjentina nën qeverisjen e presidentit Milei që qeveris përmes një agjende libertare që bazohet në shkurtimet buxhetore, vënien në kontroll të inflacionit, uljen e borxhit dhe rritjen e konkurrueshmërisë, ka arritur disa suksese të rëndësishme këto dy vitet e fundit, të cilat u konfirmuan me votën e fundit gati plebishitare në favor të tij për zgjedhjet e kongresit në Argjentinë. Inflacioni nga mbi 300 përqind që ishte kur mori detyrën Milei, sot është vetëm 30-33 përqind pra një rënie e paprecedentë në historinë moderne brenda kaq pak kohe.
Buxheti për herë të parë në shumë dekada arriti suficit, një kthesë tjetër e madhe historike. Disiplina fiskale e treguar është përshëndetur nga FMN, Banka Botërore etj. Presidenti Trump ka premtuar rreth 40 miliardë dollarë hua dhe mbështetje financiare në periudhën afatmesme që do të ndihmonin ekonominë argjentinase të përballonte më mirë disa nga pasojat e dhimbshme sociale dhe kostot ekonomike që sjellin këto reforma në periudhë afatshkurtër por që padyshim janë një terapi shok e nevojshme për situatën ku ndodhej ky vend që një shekull më parë tërhiqte emigrantë italianë, gjermanë apo spanjollë që gjenin El Doradon në këtë vend të Amerikës Latine.
A do të arrijë Milei t’i rikthejë lavdinë e dikurshme është një bast jo vetëm për fatin e tij të mbramë politik por edhe atë të një vendi me pasuri të shumta dhe kapital njerëzor jo të vogël.
Vende të tjera që kanë pasur forca të djathta për një periudhë të konsiderueshme në BE që nga Hungaria e Orban te Polonia ku për rreth dy dekada partia konservatore Ligj dhe Drejtësi ka qenë forcë parë politike, Republika Çeke apo edhe Greqia nën Micotaqis kanë përballuar krizat mjaft mirë, kanë pasur rritje ekonomike të shëndetshme, investime të shumta të huaja, shkallë papunësie mjaft të ulët, të ardhura të shpërndara mirë, mbështetje për familjet e reja dhe politika zhvillimore shpërblyese duke forcuar dhe identitetin kombëtar dhe sovranitetin në një botë me turbullira dhe kriza sociale.
Ndërkohë që Shqipëria, e cila nga 2013-a e këtej takson më shumë talentin dhe profesionistët me taksën absurde 23 përqind, duke dobësuar shtresën e mesme.
Apo ka zgjedhur herë PPP-të preferenciale, herë investitorët strategjikë që janë thjesht politikanë të partisë në pushtet apo oligarkë vendorë të maskuar si strategjikë si metoda zhvillimi në vend të thithjes së investimeve të huaja në sektorë si agrobiznesi, industria nxjerrëse dhe përpunuese, apo ato qe zakonisht kanë kthim të lartë vlere te shtuar dhe që mbështeten në teknologji, dije, inovacion dhe aftësi njerëzve të specializuara, të tilla si TIK, industria e mikrocipave, ajo farmaceutike dhe bioteknologjike, industria mbështetëse e automjeteve elektrike, nanoteknologjisë apo industria e energjisë së pastër dhe teknologjivetë qëndrueshme.
Por nuk kemi as orientim të kapitaleve drejt bujqësisë organike për të cilën na favorizon klima apo turizmit të qëndrueshëm. Ndërkohë që shqiptarët e talentuar ikin nga sytë këmbët si nga një vend në luftë, e vetmja gjë që lulëzon është ngurtësimi i pasens në të patundshme ku vlera është tërësisht spekulative dhe ku murosen paratë e pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit, por që pavarësisht miliona metrave katrorë të shtuar nuk arrijnë dot të stabilizojnë çmimet dhe ta bëjnë jetën të përballueshme për të rinjtë dhe familjet e reja.
Ndoshta ka ardhur koha për rikthim të politikave të djathta, si sistem tatimor proporcional me taksë e sheshtë jo më tepër se 10 përqind, me burokraci të shfryrë që duhet të vijë si rezultat i njëkohshëm i shfryrjes së numrit të administratës publike me dixhitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve, me nxitje të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me krijimin e sigurisë juridike dhe shinat e shtetit të së drejtës, me luftë efektive kundër metastazave të korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.
Por për këto duhet të ketë kthim klime besimi, qeveri teknike apo kujdestare për të krijuar klimë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kthim besimi te institucionet e pavarura ku duhet të zgjidhen profesionistë të besueshëm që janë parakushte të rëndësishme për shëndoshjen e demokracisë dhe njëherazi zhvillimin ekonomik por edhe parandalimit të polarizimit ekonomik dhe social që është duke u thelluar.
© SYRI.net














