Gazetarja, Anduena Llabani, ka zbuluar detaje të reja në lidhje me hetimet që SPAK po zhvillon ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila tashmë është marrë e pandehur.
E ftuar në News24, Llabani tha se hetimet ndaj Ballukut janë shumë më të gjera nga sa është bërë publik deri tani, duke përfshirë 7 deri në 8 procedime penale që lidhen me shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.
Një nga pistat më të rënda të hetimit, sipas Llabanit, ka të bëjë me transferimin e mbi 6 milionë eurove në një bankë zvicerane në emër të Ballukut, çështje që tashmë është kthyer në hetim ndërkombëtar.
“Sot që flasim, ndaj Ballukut SPAK ka 7-8 procedime penale dhe kemi të bëjmë me disa dosje për gjëra të ndryshme që lidhen jo vetëm me shpërdorimin e detyrës, por edhe me pastrim parash dhe korrupsion. Dokumentet që kemi parë deri tani janë vetëm maja e ajsbergut. “Ka një çështje tjetër shumë të rëndësishme që është ndërkombëtarizuar – transferimi i mbi 6 milionë eurove në Zvicër në emër të Ballukut. Për këtë rast janë përfshirë edhe zyrtarë të sistemit doganor. Burime të afërta me hetimin kanë konfirmuar se SPAK ka dërguar letërporosi ndërkombëtare dhe pritet përgjigje nga Zvicra dhe Meksika, ku dyshohet se janë bërë transferta të tjera me shuma të mëdha parash, – tha gazetarja.
Llabani shton se rasti i Ballukut nuk mund të konsiderohet si një aferë e izoluar, por si pjesë e një rrjeti institucional që ka përdorur strukturat shtetërore për përfitime financiare.













