Analisti Fatos Lubonja ka reaguar pas zhvillimeve të fundit lidhur me hetimet ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe materialet e publikuara nga SPAK, të cilat, sipas tij, përbëjnë një goditje të fortë për qeverinë.
Në një intervistë për “Kjo Javë” në News24, Lubonja tha se mënyra e komunikimit të zyrtarëve të lartë shtetërorë është “banale dhe e frikshme”, duke e krahasuar me gjuhën e një bande injorantësh.
Sipas Lubonjës, publikimi i përgjimeve ka sjellë një delegjitimim të fortë në opinionin publik, por kjo nuk përkthehet domosdoshmërisht në humbje pushteti.
“Kjo sjell delegjitimim në opinionin publik, por jo domosdoshmërisht sjell rrëzimin nga pushteti. Këtu është problemi i madh: sa vepron drejtësia. Në një vend demokratik, mjafton që drejtësia të veprojë dhe këta rrëzohen vetë,” theksoi Lubonja.
Sipas tij, përgjegjësia politike dhe institucionale nuk ndalet te një individ, por shkon deri në majën e qeverisë.
“Kapja e pushtetit nga ana e tyre dhe e një pjese të drejtësisë bën që të rrinë në pushtet. Këtu është loja. Mendoj se pak mund të bëjë opozita në këtë rast.
Kemi nevojë që të ndëshkohen ata që kanë bërë shkelje. Mund të vijnë njerëz të tjerë dhe sistemi vazhdon. Duhet të ndalojë kjo,” nënvizoi Lubonja.













