Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka dënuar Federatën e Futbollit të Serbisë për sjelljen e papërshtatshme të tifozëve gjatë ndeshjes kundër Shqipërisë, e zhvilluar më 11 tetor në Leskovc.
Sipas njoftimit të federatës serbe, dënimi arrin në 87,500 franga zvicerane (rreth 93,981 euro) dhe është vendosur për shkak të sjelljeve të papërshtatshme gjatë intonimit të himnit shqiptar si dhe për sjellje diskriminuese nga një pjesë e tifozëve gjatë ndeshjes.
Përveç gjobës financiare, Serbia është ndëshkuar edhe me mbylljen e pjesshme të stadiumit, të paktën 25% e kapacitetit të ulëseve në ndeshjen e radhës kualifikuese të FIFA-s, që do të zhvillohet kundër Letonisë, po ashtu në Leskovc.
Gjatë takimit ndaj Shqipërisë, tifozët serbë u dëgjuan duke bërë thirrje ofenduese e fashiste kundër shqiptarëve dhe Kosovës, duke krijuar një atmosferë armiqësore në stadium.
Megjithatë, Kombëtarja shqiptare arriti të përballonte presionin dhe doli fituese 1:0, me golin e Rey Manaj, duke shënuar një rezultat të rëndësishëm në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.














