Një krimi i dyfishtë ka ndodhur ditën e sotme në fshatin Gollbovc të Malishevës.
Raportohet se viktimat janë vëllezër me njëri-tjetrin, ndërsa autori i vrasjes dyshohet të jetë dhëndri i familjes, banues në Komunën e Drenasit.
Në raportin e Policisë thuhet se dy vëllezërit rreth orës 11:30 u dërguan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë, ku më pas mjekët konstatuan vdekjen e tyre.
Sipas informacioneve fillestare, viktimat janë të moshave rreth 32 dhe 45 vjeç ndërsa ngjarja dyshohet se ka pasur motiv familjar, i cili kishte filluar më herët mes palëve.
I dyshuari, sipas hetimeve paraprake, sot ka shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë gruan e tij. Pasi është larguar disa metra, ai është kthyer përsëri dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve që ndodheshin para derës së shtëpisë.
Në vendin e ngjarjes është gjetur nga policia edhe një armë zjarri, ndërsa i dyshuari është në arrati.














