Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me mungesën e zv.kryeministres Belinda Balluku në seancën e sotme plenare në Kuvend.
Në një reagim në rrjete sociale, Bardhi shkruan se Balluku ka frikë të vijë në Parlament për të dhënë llogari për vjedhjen e 50 milionë eurove të taksave të shqiptarëve.
Ai shton me nota ironie se Balluku është futur në tunel dhe i dërgon mesazhe Edi Ramës për t’i treguar atij se krimin e kanë bërë bashkë.
Sipas Bardhit heshtja e ministres tregon pranim të krimit dhe se ajo e ka kryer vjedhjen me vetëdije të plotë.
Reagimi i Bardhit
E pandehura në ilegalitet!
Me akuzën penale të abuzimit në tendera, e pandehura Belinda Balluku ka frikë të vijë në Parlament dhe të japë llogari për vjedhjen 50 milionë euro të Tunelit të Llogarasë.
Me të drejtën që na jep ligji, kërkuam interpelancë urgjente me Belinda Ballukun, por ajo është futur në tunel dhe s’ka ndërmend të dalë prej tij derisa të sigurohet se e ka nënshtruar plotësisht Edi Ramën përmes shantazhit.
E shkarkon ose jo Edi Rama, Belinda Balluku ka një rrugë të gjatë për të bërë në dyert e SPAK-ut, por çdo zyrtar publik e ka detyrim që përpara se të japë llogari në prokurori e gjykatë, t’u shpjegojë qytetarëve që përfaqësohen në Kuvend nga deputetët e tyre.
Heshtja dhe shfaqja si në normalitet, tregon dy gjëra: së pari, Belinda Balluku e ka kryer krimin me vetëdije të plotë. Së dyti, me angazhimin e saj direkt të paligjshëm dhe kriminal janë vjedhur 50 milion euro.
Belinda Balluku bën një gabim të madh duke u fshehur në tunel. Mesazhet që i dërgon Edi Ramës për t’i treguar atij se krimin e kanë bërë bashkë, nuk ia heqin dot akuzën penale. Po i jap një këshillë falas: Dorëhiqu dhe Pendohu Belinda! Mesazhet e Edi Ramës bëji publike dhe çoji më SPAK! Kush bashkëpunon me drejtësinë, ka gjithmonë lehtësira!














