Nga Basir Çollaku
Nuk kemi parë gjë akoma, po hanë kokat e njëri-tjetrit. Vetë e tha.
Me datë 01/10/2021, në orën 10 e 54 në mesazhet e Ballukut me drejtorin e saj të rrugëve, Eris Beriberi, kur po bëhej gati të shpallte fituesin e tunelit të Llogarasë, ajo i shkruan:” prit t’i çoj fjalën atij kurvës që kërcënon me sms..” dhe më tej në orën 16:06 të asaj dite Berberi me sms lajmëron..”tuneli u nxor sapo..” Sepse për të marrë leje finalizimi për dakordësimin e fituesit të një investimi të kësaj përmase, natyrisht njoftimet për dritë jeshile, bëhen lart, jo poshtë.
Skandalet shokuese të pushtetit, abuzimet, korrupsioni, vjedhjet, lidhjet e forta me krimin e organizuar vendas e të huaj, pastrimi i parave, tenderimet e dedikuara pa garë dhe me shumë shkelje, e të tjera paudhësi të jashtëligjshme, janë në nxitim se kush të kapë lajmin e parë keqbërës në Shqipëri.
Toruhumbur Edi Rama kur po njihej me letërzezën raport-progres të radhës nga Brukseli, në krah të kreut të delegacionit të BE, Silvio Gonzato, mbylli gojën dhe konferencën, në pyetjen për hetimin e zëvendës së tij. Kazani socialist ka marrë flakë dhe fikja nuk ka afat. Balluku ngjan se nuk është aq e bindur sa Veliaj ndaj të gjatit, të cilit ajo sipas përgjimeve në dosje, i kishte vënë emër kofidencial, pallosh. Por ka më tepër.
Pirro Vengu ish-drejtor i Portit të Durrësit, nën varësinë e Belinda Ballukut dhe Petrit Malaj ish-drejtor AKBN, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, po në të njëjtën varësi të zëvëndëskryeministres, ishin thuajse zgjedhje të promovuara prej saj te “palloshi i gjatë” duke sjellë poste të cilat i mbajnë nga “Rama 3” ku u emëruan gjatë mandatit e vazhdojnë po aty në “Rama 4” bashkë me ish-shefen ende shefe, ndonëse zërat brenda korridoreve të pushtetit thonë se u është kërkuar të hapin krahun. Refuzimi duket se justifikon dhe orët e mesnatës së mbledhjeve të qeverisë, e cila mbyllet e hapet me rraskapitje pa vendime. Ndërkohë Balluku dhe pesë vartës të saj janë të pandehur.
Hetimet natyrisht do të zgjaten te kryeministri, sepse nënshkrimet e lejimet e tij, përgjimet e bisedave rreth tij, janë nëpër shkresa e fashikuj, të atyre qindramilionëve favorizuese e përfituese. Nëse emrat do të kishin qenë anonim, Struktura e Posaçme do të kishte njoftuar me kohë akuzën organizatë kriminale për të pandehurit. Por të presim. Ka kohë, ka dhe prova të tjera.
Një mal me çështje mund të nxjerrin shumë male me fakte, jo si ata të ministre botox Diellës, e cila pjell me sms të Ramës, e nuk merr as leje lindjeje. Transferta me shumë shifra janë nëpër parajsa fiskale. Llogari në Zvicër, Qipro, USA e vende të tjera, kanë rënë në dijeni të autoriteteve ku gjenden strehët e dollarëve të emigruar të korrupsionit të të pandehurve të njohur e të munguar.
Disa nga dosjet përvëluese Rama-Balluku. Sigurisht Narcodosja, me lëndë amerikane e evropiane, duke mos harruar sky-enchro, është edhe furnizuese me të dhëna për hetimet e nisura. Aty po shpërtheu puseta, nuk ka kallash ta ndalojë.
Inceneratorët Tiranë-Elbasan-Fier, ku disa të pandehur mbyllin dënimet e të tjerë ende hetimet. Firma e Edi Ramës për t’i dhënë bonus kompanisë fantazmë, shurdh-qorron prokurorët
Porti i Durrësit
Unaza e re e Tiranës
Bazat detarë në Sarandë e Shëngjin dhënë për ndërtime privatëve
Tuneli i Llogarasë
Aeroporti i Vlorës
Tigrat e energjisë në Vlorë,
Rruga e Arbërit,
Koncensioni Thumanë-Kashar
Tenderat për energjinë
Tenderat sekretë të periudhës së Covidit dhe më pas
Tenderat AKSHI ku janë familjarë të Ramës të përmendur
Eco Parku sërish familjarë të KM të përmendur
Bechetti, një dosje 150 milionë euroshe e “harruar” nga SPAK
Licencat për parqet voltaike
Investimet strategjike e risorte, ku përfitues janë grupet kriminale të trafikut të drogës. Përplasjet janë të forta. Grupet janë acaruar. Qeveria është një shesh ku të pandehurit po vrasin njëri-tjetrin. Autori i “Kurbanit” po përjeton refrenin e tij, duke na bindur se nuk kemi parë gjë akoma, dhe “hëngshin kokat e njëri-tjetrit..” Zoti është i madh, USA gjithashtu…!














