Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi sot në Konferencën e Kryetarëve ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për fondet IPARD, duke e cilësuar këtë si një të drejtë kushtetuese të opozitës.
Bardhi tha se ngritja e komisionit është kërkesë legjitime e 1/4 së deputetëve, ndërsa akuzoi mazhorancën për pengimin e mekanizmave të kontrollit parlamentar.
“Ne nuk dublojmë punën e Prokurorisë. Fakti që Prokuroria ka nisur hetim penal tregon se ekziston një problematikë. Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë: Prokuroria ka punën e vet, Kuvendi ka hetimin administrativ,” – tha Bardhi.
Ai shtoi se opozita nuk ka hasur kundërshti për objektin e komisionit dhe kërkoi që të miratohet me konsensus përbërja dhe data e mbledhjes së parë.
“Për sa kohë nuk ka shqetësim për objektin, duhet ta miratojmë me konsensus. Ngritja e komisionit është e drejtë kushtetuese e 1/4 së propozuesve. Ka një muaj nga mbyllja e sesionit dhe ju nuk keni pranuar asnjë mekanizëm kontrolli të opozitës, duke zhdukur parlamentarizmin. Kjo është shkelje e Kushtetutës dhe dhunë ndaj opozitës,” – u shpreh Bardhi.













