Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar sërish në lidhje me qëndrimin e tyre kundër, lidhur me projektligjin “Për barazinë gjinore”, i cili do të votohet ditën e nesërme, me propozim të mazhorancës socialiste.
Në një deklaratë për shtyp, Këshilli Ndërfetar thekson se qëndrimi i tyre vjen në rëndësinë e ruajtjes së vlerave themelore të familjes, të traditës shoqërore dhe morale shqiptare, si dhe të parimeve të besimeve tona fetare, në frymën e respektit, barazisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Deklaratë për shtyp
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, rithekson edhe një herë qëndrimin e tij zyrtar, të shprehur në letrën dhe deklaratën e mëparshme, lidhur me projektligjin “Për barazinë gjinore”.
KNFSH qëndron i palëkundur në pozicionin e tij, siç është artikuluar qartë në dokumentin e dërguar më parë institucioneve përkatëse, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave themelore të familjes, të traditës shoqërore dhe morale shqiptare, si dhe të parimeve të besimeve tona fetare, në frymën e respektit, barazisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë mbetet i përkushtuar ndaj dialogut të hapur dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore e shoqërinë civile, me synim forcimin e harmonisë ndërfetare dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj!
Bordi i Presidencës!














