Komisioni Europian publikoi sot Raportin e Progresit për Shqipërinë 2025, raport i cili nxirrte në pah disa problematika serioze në fushën e funksionimit të institucioneve demokratike, ekonomisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.
Raporti evidentonte një sërë problematikash, nga zgjedhjet e 11 Majit, te emigrimi masiv dhe sfidat sociale. Raporti thekson po ashtu se reformat kyçe mbeten të pjesshme dhe sfidat strukturore të pazgjidhura.
Por për Marta Kos është bërë “deti kos”. A thua se i kishte mbushur xhepat plot me Euro nga Rama, komisionerja nuk i kurseu lavdet për punën e kryeministrit shqiptar.
Nuk dihet me çfarë syri i sheh Kos këto zhvillimi pozitive, por realitet është ndryshe dhe lë shumë për të dëshiruar!
Në një vend si Shqipëria ku vota vidhet, korrupsioni është i pranishëm në nivele të larta, krimi i organizuar bën ligjin, paratë e pista pastrohen në kulla gjigande dhe popullit të thjeshtë i merret jeta nga ilaçe të skaduara dhe pajisje jofunksionale në spitale, ‘shikimi i turbullt’ i komisioneres për punën e Ramës nuk i hy në punë sa dreqit. Madje as një socialist i thekur nuk e beson!
Siç duket, Kos nuk e ka lexuar mirë raportin i cili thekson se qeveria shqiptare ka bërë progres të kufizuar në arritjen e standardeve të BE-së për lirinë e shprehjes, ndërsa vendi mbetet në një nivel të moderuar përgatitjeje në këtë sektor të rëndësishëm të të drejtave themelore.
Komisioni thekson se qeveria shqiptare ka bërë “vesh të shurdhër” ndaj rekomandimeve të bëra nga ky institucion për forcimin e lirisë së shprehjes gjatë tre viteve të fundit.
Deklarata e plotë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:
“Komisioni Europian publikoi sot Raportin e Progresit për Shqipërinë 2025, i cili paraqet një analizë të detajuar të zhvillimeve në vend gjatë një viti. Raporti evidenton përparimin e qëndrueshëm të vendit tonë në reformat kyçe, shënon arritjet konkrete dhe rithekson përkushtimin e palëkundur të Qeverisë dhe të Shqipërisë ndaj standardeve europiane.
Në mënyrë të veçantë, raporti përshëndet angazhimin e fortë politik të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Ai thekson përparimin e rëndësishëm në reformat themelore, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse të drejtësisë, si dhe rezultatet domethënëse të arritura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke nënvizuar edhe bashkëpunimin aktiv ndërkombëtar në këto fusha.
Raporti vlerëson përparimin e bërë në procesin e negociatave të anëtarësimit që prej tetorit të vitit 2024, duke theksuar ecurinë e tyre me një ritëm “të paprecedentë”, që ka çuar në hapjen e 28 kapitujve brenda një viti. Në përputhje me planet e përbashkëta të punës, pesë kapitujt e mbetur pritet të hapen para fundit të këtij viti.
Për të dytin vit radhazi, Komisioni Europian ripohoi mbështetjen për objektivin e Shqipërisë për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027, në një proces plotësisht të bazuar në meritë.
Raporti pasqyron gjithashtu, me realizëm dhe në mënyrë të balancuar, sfidat që mbeten përpara, si forcimi i mëtejshëm i institucioneve, rritja e vazhdueshme e transparencës, sundimi i ligjit, etj.
Raporti i Progresit për vitin 2025 është dokumenti më pozitiv i publikuar ndonjëherë për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Ai reflekton punën e madhe të bërë nga ekipi negociator, përkushtimin e pandërprerë të administratës publike si dhe institucioneve qendrore e vendore si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me Komisionin Europian dhe institucionet e tjera të BE-së drejt qëllimit të përbashkët — anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE.
Ministria për Europën dhe e Punët e Jashtme e mirëpret raportin e Komisionit dhe i konsideron gjetjet si dhe rekomandimet e tij një moment të rëndësishëm reflektimi, për të vlerësuar rrugën e deritanishme dhe për të forcuar përgjegjësinë për të vijuar përpara me fokus, vendosmëri dhe rezultate konkrete.
Integrimi në BE mbetet udhërrëfyesi ynë strategjik për forcimin e demokracisë, zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë — në dobi të një të ardhmeje të përbashkët europiane”.
LEXO EDHE:
Abuzimet në zgjedhje, shpopullimi dhe krimi i organizuar, raporti i KE ‘nxin’ qeverinë shqiptare
Brukseli kritikon Shqipërinë për mungesë progresi në lirinë e medias














