Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën më 4 nëntor vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të gjyqtarit të Vlorës, Hektor Sinanaj. Vendimi u mor
Në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga gjyqtarja Albana Shtylla me relatore Ina Rama dhe anëtarë Natasha Mulaj, Rezarta Schuetze e Sokol Çomo, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Sinanajt ndaj vendimmarrjes së Komisionit. Vendimarrja e Kolegjit është përfundimtare dhe ka efekt të menjëhershëm.
Gjyqtari Hektor Sinanaj u shkarkua nga detyra më 13 mars, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ai nuk arriti nivel të besueshëm për pasurinë dhe nivel kualifikues për profesionalizmin. Në vlerësimin tërësor të problemeve të konstatuara në këto dy kritere, u çmua se Sinanaj kishte cënuar me sjelljen e tij besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.
Hektor Sinanaj e filloi karrierën si avokat në vitin 1992 dhe u emërua gjyqtar në vitin 2000. Ai punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Vlorës. Në tetor 2021, Sinanaj mori “vërejtje publike” nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pas një hetimi disiplinor të ILD-së për vendimet e tij lidhur me urdhrat e ekzekutimit të disa institucioneve financiare, për të cilat Sinanaj tha se kishte mbrojtur qytetarët. /Reporter.al














