Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat në Kuvend me fokus gjetjet e raportit final të OSBE-ODIHR të publikuar javën e shkuar.
Në kërkesën e firmosur nga kreu i grupit, Gazment Bardhi, theksohet se raporti evidenton qartë deformime të procesit zgjedhor në favor të mazhorancës dhe si rrjedhojë është e domosdoshme të zhvillohet debat parlamentar.
“Pasur parasysh gjetjet dhe konkluzonet e raportit final të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, veçanërisht ato që lidhen me shkeljen e parimit të barazisë së palëve në garë, vlerësojmë se është detyra jonë si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, që të iniciojmë dhe nxisim debatin parlamentar për problematikat, mangësitë dhe standardet e proceseve zgjedhore në vendin tonë, si një kontribut edhe për punën e Komisionit Parlamentar për Realizimin e Reformës së Zgjedhore të miratuar rishtazi me konsensus ndërpartiak”,- thuhet ndër të tjera në kërkesë.
















