Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë sot vendimin për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrben, duke e dënuar me 3 vite burgim, ndërsa pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij reduktohet në 2 vite burg.
Çyrbja akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për disa vepra penale të rënda, të dokumentuara përmes komunikimeve në platformën e koduar “SkyECC”, mes tyre tregim i sekretit shtetëror dhe korrupsion në zgjedhje. Sipas organit të akuzës Çyrbja ka nxjerrë informacione sekrete të Policisë së Shtetit dhe të dhëna nga sistemi TIMS, duke ndihmuar persona të kërkuar, përfshirë Altin Hajrin, t’i shmangeshin kapjes.
Sa i takon Altin Hajrit, i gjykuar në mungesë, ai u shpall fajtor për korrupsion në zgjedhje dhe tregim të sekretit shtetëror. Ai është dënuar me 3 vite burg, të reduktuara në 2 vite pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Ndërsa Ahmet Masha (kunati i Çyrbjas) dënohet me 2 vite e 6 muaj burg, që reduktohet në 1.8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Akuzat
Sipas SPAK, tre të pandehurit në 8 episode të ndryshme janë vënë në dijeni të të dhënave në sistemin “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Organi i akuzës ka raportuar se gjatë kohës që ka qenë deputet, Jurgis Çyrbja ka patur miqësi të ngushtë me Altin Hajrin. Sipas SPAK, Çyrbja i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit, Altin Hajri, se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të sigurimit të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Nga hetimet ka rezultuar se Jurgis Çyrbja e informonte Altin Hajrin për aksionet e Policisë për kapjen e tij, pasi ky i fundit ishte i shpallur në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
LEXO EDHE:
Akuzohet se dekonspiroi operacionet e policisë, GJKKO pranon gjykim të shkurtuar për Jurgis Çyrbjan
GJKKO kalon për gjykim dosjen e Jurgis Çyrbjas dhe Altin Hajrit, 5 akuza ndaj ish-deputetit














