Kryedemokrati, Sali Berisha, është paraqitur mëngjesin e kësaj të hëne në Prokurorinë e Posaçme, SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje” të caktuar nga gjykata për dosjen “Partizani”.
Në dalje të SPAK në një prononcim për gazetarët, Berisha lexoi edhe mesazhin që la për kreun e këtij institucioni, Altin Dumani, teksa u shpreh se ky i fundit duhet të japë llogari për ujdinë 5 mln euro që sipas tij ka bërë me Kreshnik Farrukun në Manzë.
“Po e nis me një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju këtu dhe të gjithë qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë që ndjekin këtë konferencë shtypi.
Para largimit, unë i lashë këtë shënim: Altin Troplinit, armikut të egër të votës së lirë të shqiptarëve, amnistuesit të krimit monstruoz elektoral të Ramaduros dhe narkoqeveritarëve të tjerë. Për të gjitha këto, për lidhjet e tij me Troplinin, për milionat e marrë nga Kreshniku i Manzës, ai do përgjigjet para ligjit”,- u shpreh Berisha.














