Një avion i vogël u rrëzua mëngjesin e së premtes në qarkun Saratoga, Nju Jork, duke shkaktuar vdekjen e pilotit dhe plagosjen e një pasagjeri.
Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Saratoga (SCSO), ngjarja ndodhi rreth orës 10:30 të mëngjesit, në Wyndham Way, në qytetin Milton, pak pasi avioni ishte ngritur nga aeroporti lokal.
Hetimet paraprake tregojnë se avioni i tipit Mooney M20E, i prodhuar në vitin 1964, u përplas me një pemë pak pasi mori lartësi dhe përfundoi në oborrin e një banese, duke marrë flakë. Sipas dëshmive, një nga krahët e avionit u ngatërrua në pemë përpara përplasjes.
Banori i shtëpisë, John Clapper, tha për CBS6 se dëgjoi një zhurmë të fortë dhe pa njerëz që vraponin për të ndihmuar:
“Shkova te dera dhe pashë dikë që vraponte nëpër oborr. Ai më tha se avioni ishte rrëzuar. Disa persona nxorën një burrë nga brenda avionit dhe i shpëtuan jetën,” – u shpreh Clapper.
Sherifi Michael Zurlo konfirmoi se pasagjeri u nxor nga rrënojat dhe u dërgua me lëndime të rënda në Qendrën Mjekësore të Albany-t, ndërsa piloti humbi jetën në vend. Identitetet e viktimës dhe të të plagosurit nuk janë bërë ende publike.














