Drejtori teknik në hartimin e projekteve në Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), Nikollaq Mihali, është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Mihali u mor i pandehur nga SPAK në muajin qershor së bashku me 5 zyrtarë të tjerë të ARRSH për shkelje të barazisë në tenderin për Lotin 1 të Unazës së Re, me fond limit 2 miliardë e 250 milionë lekë, pa TVSH.
Ndaj tij dhe 5 zyrtarëve, Arbër Troka, Miranda Shkurti, Almir Hoxhaj, Erjon Zemanaj, Admir Pahumi rëndon akuza për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas SPAK, hetimi bën fjalë për procedurën e prokurimit me objekt: “Rehabilitim i segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, Loti 1, me fond limit 2 miliardë e 250 milionë lekë pa TVSH, i vitit 2019, të fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë: Salillari SHPK– Bajrami N. SHPK. Hetimi është ndarë nga një procedim tjetër i regjistruar pranë SPAK në vitin 2022.
Nuk dihet nëse prania e sotme në SPAK e Nikollaq Mihalit ka të bëjë me kete çështje apo ne lidhje me ndonje hetim tjetër.













