Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka kujtuar sot ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 73-vjeçare.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News 24, Malaj foli për periudha të vështira gjatë drejtimit të Nanos, duke përmendur vitin 1998, kur me arkivol u shqye dera e Kryeministrisë, dhe periudhën pas krizës së vitit 1997.
Ai theksoi se Nano e menaxhonte pushtetin me maturi, duke shmangur hakmarrjen politike ndaj rivalëve dhe duke ruajtur unitetin brenda Partisë Socialiste. Malaj kujtoi gjithashtu periudha kur qeveria funksiononte me zëvendësministra për shkak të pengesave në Parlament.
“E kam parë Nanon të përballonte situata të vështira pa krijuar armiq, as brenda partisë, as me opozitën,” tha Malaj, duke reflektuar mbi stilin e qeverisjes së ish-kryeministrit.
Ky është një përshkrim i drejtpërdrejtë i sfidave që Nano përballoi gjatë karrierës së tij politike, sipas ish-ministrit Malaj.
Arben Malaj: Më i vështiri për ne ishte 1998 kur me arkivol shqyhej dera e kryeministrisë dhe ai moment kishte dhe atë zhgënjimin politik, sepse Nano në 1997 nuk i ktheu vuajtjet e tij në hakmarrje politike. Ai bëri një amnisti personale edhe në raport me Berishën, duke theksuar faktin që nuk duhet të krijojmë mite të tjera të kundërshtarëve politikë.
Moment tjetër i vështirë kanë qenë zhvillimet brenda PS, sepse në mënyrë graduale në një parti krijohen grupe të vogla të cilat krijojnë vështirësitë e tjera dhe aq më tepër në pikën kulmuese kur qeveria nuk po miratohej në parlament dhe qeveria vazhdonte qeveriste me zv.ministra. Atje kam parë që ishte i zhgënjyer në vete veten e tij për gjithë investimin politike, sepse Nano nuk krijonte armiq as në parti as me opozitën.














