Shtetet e Bashkuara kanë anuluar takimin e planifikuar mes Presidentit Donald Trump dhe homologut rus Vladimir Putin, pas një memoje të dërguar nga Kremlini drejt Uashingtonit me kërkesa të ashpra për një armëpushim me Ukrainën, raportoi “Financial Times”.
Takimi pritej të zhvillohej në Budapest të Hungarisë, ku dy liderët do të diskutonin mundësinë e përfundimit të luftës Rusi–Ukrainë. Por, sipas raportit të FT, Trump vendosi ta anulonte samitin vetëm disa ditë pas njoftimit zyrtar.
Në dokumentin që Rusia i dërgoi Shteteve të Bashkuara, thuhej se Moska kërkonte lëshime territoriale nga Kievi, demilitarizim të zonave lindore dhe garanci që Ukraina nuk do t’i bashkohet kurrë NATO-s.
Sipas burimeve të gazetës britanike, anulimi u mor pas një telefonate mes ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, gjatë së cilës u bë e qartë se Moska “nuk kishte vullnet real për negociata”.
Megjithë pretendimet e Trump se mund t’i japë fund luftës “brenda pak ditësh”, përpjekjet e administratës amerikane për ndërmjetësim nuk kanë gjetur mbështetje të gjerë ndërkombëtare.
Në fillim të këtij muaji, Presidenti amerikan pati edhe një takim të tensionuar me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa ndihmat ushtarake amerikane për Kievin vijojnë normalisht.
 
	    	















