Kryeministri Edi Rama publikoi të premten pamje nga projekti “Veliera” në qytetin bregdetar, duke e cilësuar si një “vepër të bukur urbane” dhe “shembëlltyrë tërheqëse të Durrësit Turistik 2030”.
“Mirëmëngjes dhe me mendimin e kohës së madhe të çuar dëm nga gjithëfarë të varfërish nga mendtë e kokës, që nuk lanë dy gurë bashkë për ta penguar këtë vepër të bukur urbane të arkitektit të mirënjohur Marco Casamonti, e cila tanimë është në detajet e fundit teknike, si një shembëlltyrë tërheqëse e Durrësit Turistik 2030, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama paraditen e 31 tetorit në një postim në rrjetet e tij sociale.
Por pas fasadës së “mendimit të kohës së madhe”, projekti Veliera ka rezultuar ndër më të kushtueshmit për qytetin bregdetar.
Megjithatë, projekti ka tejkaluar çdo afat dhe pritshmëri, pasi zvarritjet kanë zgjatur për vite me radhë dhe kostot janë rritur ndjeshëm.
Ironikisht, në përmbytjet e fundit që goditën Durrësin në shtator të këtij viti, nënkalimi i “Velierës” u përmbyt, duke vënë në pikëpyetje funksionalitetin e investimit që ka kushtuar rreth 10 milionë euro.
Amfora ka dokumentuar se për realizimin e këtij projekti janë zhvilluar mbi pesë tendera dhe janë shpenzuar rreth 10 milionë euro fonde publike-një vlerë që e ka bërë Durrësin ta paguajë dyfish këtë projekt të kundërshtuar nga qytetarët.
Në vitet e para të ndërtimit, projekti shkaktoi protesta dhe reagime të forta publike, pasi gjatë punimeve u dëmtuan shtresat arkeologjike pranë Kullës Veneciane, një zonë e mbrojtur me vlera historike të larta.
Arkeologë dhe banorë paralajmëruan se “Veliera” do të fshinte një pjesë të trashëgimisë kulturore të qytetit më të vjetër në Shqipëri. Kundër ndërtimit të “Velierës” u mblodhën qindra firma nga qytetarë, aktivistë dhe arkeologë, të cilët kërkonin mbrojtjen e trashëgimisë kulturore pranë Kullës Veneciane dhe ndalimin e betonizimit në një zonë me vlera historike të jashtëzakonshme.

Sot, ndërsa kryeministri e sheh si simbol të turizmit modern, për durrsakët “Veliera” mbetet një simbol i përplasjes mes betoni dhe historisë./ Amfora.al
 
	    	















