Nga Boldnews.al
Erion Veliaj pritet të dalë këtë të Premte nga qelia për herë të parë pas më shumë se 6 muajsh në qeli, ku do të mbrojë mandatin e tij si kryetar Bashkie përballë Gjykatës Kushtetuese.
Prej ditësh, stafi i tij ligjor dhe zëdhënësit e tij të deklaruar e të padeklaruar mediatikë, kanë mbushur opinionin publik me argumenta teknikë se përse vendimi i Këshillit Bashkiak dhe më tej i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Veliajt nga detyra ishte i padrejtë.
Secili prej tyre ka bërë atë që është paguar apo e ka ndjerë, megjithëse asnjëri, as juristët, as analistët, nuk kanë asgjë në dorë. Fati i Veliajt është, formalisht, në dorën e 8 gjyqtarëve kushtetues dhe faktikisht, në dorën e kryeministrit Edi Rama.
Kryesocialisti udhëhoqi procesin e shkarkimit të beniaminit të tij, Veliaj, duke urdhëruar këshilltarët e majtë bashkiakë që të shkarkonin kryetarin e Bashkisë, me argumentin se kishte munguar 3 muaj në detyrë, për shkak të masës së sigurisë arrest me burg, të caktuar nga Gjykata e Posaçme.
Rama udhëhoqi vetë mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku u vulos shkarkimi i Veliajt. Kryeministri ishte i njëjti që, nëpërmjet Sekretarit të tij të Përgjithshëm, Ëngjëll Agaçi, detyroi Presidentin e Republikës të dekretonte datën e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, megjithëse procesi duhej pezulluar, deri në dhënien e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.
Këto veprime ishin të vrullshme në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit të këtij viti. Ato shkuan paralelisht me shpalljen e Ogerta Manastirliut si kandidatja e socialistëve për zgjedhjet e parakohshme të Tiranës.
Në ditët e para të “fushatës”, edhe pse dekreti ishte pezulluar, në krah të Manastirliut u shfaqën pesha të rënda të Partisë Socialiste, mes tyre Belinda Balluku, Ulsi Manja, Fatmir Xhafaj, etj.
Por, ditë pas dite, këta firuan dhe në krah të Ogerta Manastirliut, në ato që mund të quhen takime elektorale, ka mbetur vetëm Iris Luarasi, deputetja më e re, e trafikuar nga Edi Rama në listën fituese të Tiranës, në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025.
Luarasi tashmë ngjan më shumë me ato çupëlinat, të cilat luajnë me zell “hapa dollapa”, por që asnjë nga shoqet nuk i ka thënë se loja ka përfunduar dhe të gjitha kanë ikur në shtëpitë e tyre.
Tërheqje Partisë Socialiste nga fushata, e cila nuk ka asnjë dyshim se menaxhohet dhe urdhërohet nga Rama, është bërë aq e dukshme, sa edhe vetë Manastirliu nuk ka as nerv dhe as dëshirë për të vijuar garën, pas një kandidimi që nuk e mirëpriti aspak.
Rama, nga ana e tij, duket qartë që nuk ka asnjë interes për fushatën në Tiranë. Ai ka kaluar të gjithë tetorin në bordin e avionit, në takime e forume jashtë Shqipërisë. Ai e ka fshirë nga mendja garën për Tiranën. Bashkia do të vijojë të jetë nën kontrollin e tij, edhe në rast se Veliaj mbetet formalisht kryetar.
Ky qëndrim i Ramës, me shumë mundësi, do t’i japë dorën gjyqtarëve kushtetues, të cilët, një herë të vetme, të duken se po mbrojnë Kushtetutën. Natyrisht, pas shkeljes së syrit nga Edi Rama.
Veliaj, gjithësesi, do të mbetet sërish në burg. Ndërsa Manastirliu do të duhet të përgatitet për të vuajtur pasojat e qëndrimit të saj aspak aprovues për dhuratën që i bëri Rama me shpalljen si kandidate.
 
	    	














