Shqipëria dhe zonat rurale të vendit kanë nevoja të mëdha të paplotësuara me infrastrukturë. Në pjesën më të madhe të njësive administrative nuk ka rrugë me asfalt që i lidhin me akset nacionale, rrjetet e energjisë elektrike janë të dobëta dhe furnizimi me ujë është i mangët.
Pavarësisht nevojave të mëdha, pushteti vendor në vendin tonë nuk mund të realizojë edhe ato pak fonde në dispozicion që ka për investime.
Ministria e Financave raportoi se në fund të 8-mujorit, 61 bashkitë e vendit kishin realizuar vetëm 21.8% të planit të investimeve. Nga 49.8 miliardë të planifikuara këtë vit, janë realizuar vetëm 10.8 miliardë lekë gjatë janar–gushtit, vetëm katër muaj para përfundimit të vitit.
Bashkia e Tiranës ka ecurinë më të dobët, edhe për shkak të madhësisë së buxhetit. Për vitin 2025, buxheti i investimeve për bashkinë e kryeqytetit është 19.9 miliardë lekë, ose 40% e fondit total, por deri në fund të 8-mujorit janë shpenzuar vetëm 16.6% e fondeve të planifikuara.
Kjo normë e ulët realizimi është një tregues i dobësive të strukturave të pushtetit vendor, duke bërë që pjesa më e madhe e fondeve të destinuara për rrugë lokale, ujësjellës, ndriçim publik dhe projekte mjedisore të mbetet ende e pashpenzuar.
Realizim shumë të dobët kishte edhe bashkia e Durrësit. Me zhvillimin e vrullshëm të turizmit, kjo bashki ka më shumë nevoja për investime në infrastrukturë rrugore, mjedis, ujë dhe energji. Buxheti për investimet në bashkinë e Durrësit është 3.7 miliardë lekë këtë vit, por deri në fund të gushtit janë shpenzuar vetëm 924 milionë lekë, ose vetëm 25% e planit vjetor.
Në rang vendi, investimi më i madh bashkiak në 8 muajt e 2025 është ndërtimi i terminalit verior të transportit në Tiranë me një shumë prej 324 milionë lekësh ose 3.2 milionë euro, dhe rindërtimi i banesave individuale, po në Tiranë, me 278 milionë lekë ose 2.7 milionë euro.
Nga bashkitë me qendër qarku, realizimin më të mirë e ka Bashkia e Kukësit me 80% të planit vjetor, ndërsa realizimin më të dobët e ka bashkia e Vlorës me vetëm 10%.
Përvoja e viteve të kaluara tregon se bashkitë tentojnë të përqendrojnë zbatimin e projekteve në muajt e fundit të vitit, duke rritur rrezikun për përdorim joefikas të fondeve.
Por, me gjithë këtë përpjekje, sërish më shumë se gjysma e fondeve në këtë zë “digjen”, si vitin e kaluar, kur plani i investimeve u realizua vetëm 43% e planit. Nëse trendi aktual vazhdon, shumë bashki rrezikojnë të kenë realizime nën 20% të planit vjetor të investimeve, çka do të ndikojë negativisht në ekonominë e komuniteteve lokale./ Monitor
 
	    	
















