Biznesmeni Behgjet Pacolli është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Tiranës.
Bëhet me dije se Pacolli po pyetet për një çështje në hetim, lidhur me aeroportin e Vlorës.
Së fundmi, një skandal ka përfshirë aeroportin e Vlorës, ku dy aksionerët, miliarderi Behgjet Pacolli me 98% dhe ai minoritar, Valon Ademi me 2%, janë zhytur në një konflikt mes tyre duke lënë pas afatet e dorëzimit të këtij koncesioni.
Çfarë po ndodh me aeroportin e Vlorës?
Aeroporti i Vlorës është përfshirë në një skemë të errët, me përplasje mes aksionerëve dhe hetime nga organet e drejtësisë. Konflikti mes biznesmenit Behgjet Pacolli dhe Valon Ademit ka marrë përmasa publike dhe ligjore, ndërkohë që SPAK ka nisur hetime për kontratën koncesionare që financon projektin.
Valon Ademi përfaqësues i kompanisë 2A Group, fillimisht ka pasur 2% të aksioneve në Aeroportin e Vlorës. Ndërkohë pas tërheqjes së turqëve, Yda , të cilët i shitën 47% të aksioneve të tyre për 4200 euro, Ademi ka pretenduar se mes tij dhe Pacollit u firmos një kontratë që t’i kalonin atij 47% të aksioneve.
2A Group e Ademit kërkon të njihet si pronare e 49% të aksioneve në total, duke pasur në dorë kontratën por edhe gjithë dokumentet e investimit gjatë këtyre dy viteve, ndërsa Mabco e Pacollit refuzon dhe ka marrë një vendim si aksioner kryesor që të mos lejohet ndryshimi i aksioneve.
Gjithashtu 2A Group ka akuzuar Pacollin se ka bërë marrëveshje financiare, huanë prej 100 milionë eurosh, pa e njoftuar dhe përfshirë në mënyrë të saktë ortakun e vogël, dhe se shumë nga këto fonde nuk kanë ardhur të regjistruara në Shqipëri.
Avokati i Ademit ka deklaruar se kur firma turke që kishte marrë pjesë në projekt (YDA Group) u tërhoq, aksionet e saj kaluan te Mabco, e Behgjet Pacollit, dhe në të njëjtën ditë u nënshkrua marrëveshje mes Pacollit dhe Ademit, me ndarje që sipas tyre duhej të ishte 49–51. Por Mabco kundërshton këtë variant dhe nuk pranon që të bëhet regjistrim zyrtar i pjesëmarrjes sipas kontratës noteriale.
 
	    	















