Studentët e Fakultetit të Shkencave të Rehabilitimit në Universitetin e Sporteve të Tiranës denoncojnë në emisionin “Stop” se megjithëse kanë përfunduar studimet në degën “Fizioterapi Sportive”, nuk mund të licencohen për të ushtruar profesionin e fizioterapistit pranë Urdhrit të Infermierit. Ata, prej më shumë se një viti, sorollaten mes universitetit, Ministrisë dhe Urdhrit pa asnjë zgjidhje konkrete.
Rektori Agron Kasa deklaron se programet janë të akredituara, por Urdhri i Infermierit nuk njeh titullin e tyre, ndaj studentët nuk lejohen të hyjnë në provimin e shtetit. Urdhri kërkon një amendim ligjor për njohjen e këtij programi.
Specialisti i arsimit Albano Zhapaj, argumenton se programi i “Fizioterapisë Sportive” në Universitetin e Sporteve përputhet në mbi 90% me programin e Fizioterapisë në Universitetin e Mjekësisë.
Albano Zhapaj: Mora të gjithë programet e Mjekësisë, Fizioterapisë, mora dhe programet e tyre, i krahasova me kurikul, me silabus, me profesorët që e japin dhe ishte diku mbi 90%, nuk jam i saktë tani. Kishin brenda në dosje dhe një vlerësim që e kishte bërë Agjencia e Akreditimit që thoshte që ky program është “Fizioterapi”, pra e thoshin dhe ata. Tani se ku ka ngecur problemi te Universiteti apo në hallka të tjera, këtë nuk di të ta them, sinqerisht! Shiko! Ndryshimi, mesa kam vënë re unë, është se kjo është “Fizioterapi Sportive”, por të njejtën punë bëjnë. Unë gjykoj, që emërtimi “Fizioterapi Sportive” do të ishte më i përshtatshëm, por janë ata që duhet ta vendosin sepse realisht ai program është Fizioterapi Sportive.
/Emisioni “Stop”
 
	    	















