Ushtria amerikane ka kryer një sulm ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Oqeanin Paqësor të mërkurën, ku si pasojë humbën jetën katër persona, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
“Sipas të dhënave tona, kjo anije ishte e përfshirë në kontrabandë të paligjshme narkotikësh, lëvizte përgjatë një rruge të njohur trafiku dhe transportonte drogë,” shkroi Hegseth në platformën X, duke shtuar se asnjë pjesëtar i forcave amerikane nuk është lënduar.
Ky është sulmi i 14-të i njohur i ushtrisë amerikane kundër një anijeje të dyshuar për trafik droge që nga fillimi i operacioneve në shtator.
Deri më tani, këto ndërhyrje kanë shkaktuar 61 viktima në 15 anije të ndryshme.
Administrata Trump ka vazhduar fushatën e saj kundër anijeve që dyshohet se merren me trafik droge.
Vetëm javën e kaluar, forcat amerikane goditën dy anije në lindje të Paqësorit, duke zgjeruar kështu zonën e operacioneve, pasi më parë sulmet ishin përqendruar kryesisht në Detin e Karaibeve.
Të hënën, ushtria amerikane kreu edhe katër sulme të tjera në Paqësor, ku u vranë 14 persona dhe u arrestua një i mbijetuar, bëri të ditur Hegseth të martën.
Këto sulme shënojnë herën e parë që brenda një dite janë kryer disa goditje të njëkohshme në kuadër të fushatës së presidentit Trump kundër karteleve të drogës.













