Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 32-vjeçarin Hajri Bajramaj që shkaktoi aksidentin e rëndë me humbjen e jetës së 17-vjeçarit.
Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë, ndërsa 32-vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkelje e rregullave te qarkullimit rrugor” dhe “drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”.
Gjatë seancës i akuzuari ka kërkuar falje për ngjarjen. Ndërkohë jashtë gjykatës të pranishëm edhe familjarë të 17-vjeçarit që humbi jetën në aksident.
Daja i 17-vjeçarit të ndjerë, Partiot Deraj, tha se ky rast duhet të cilësohet si vrasje me dashje dhe jo thjesht si një aksident rrugor.
“Ne kërkojmë nga drejtësia, që vërtet ai e ka marrë atë çfarë meriton, por ne kërkojmë të ashpërsohet ky ligj pasi ai nuk është një aksident, por për ne është një vrasje me dashje.
Në momentin që ecën ne bulevard me 200 km/h dhe të jesh i papërgjegjshëm dhe të të dalin të dyja testet e bëra të alkoolit pozitiv, për ne kjo është…ku di unë, nuk ka fjalë dhe nuk e përshkruajmë dot.
Nuk arrijmë dot ta besojmë të gjithë atë që ka ndodhur. Kërkojmë të ashpërsohet ligji dhe të mos ngelet me burg apo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, se kjo nuk është shkelje e qarkullimit rrugor, por për ne është vrasje me dashje.”, tha ai.














