Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin Gebze të provincës Kocaeli, Turqi ku një ndërtesë shtatëkatëshe është shembur mëngjesin e sotëm, duke lënë pas viktima e të plagosur. Autoritetet turke kanë bërë të ditur se nga rrënojat janë nxjerrë trupat e dy fëmijëve.
Sipas mediave turke, shembja ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit në rrugën Isikgel, në zonën Mevlana Mahallesi.
Në momentin e ngjarjes, brenda ndërtesës ndodhej një familje me pesë anëtarë, e cila u bllokua nën rrënoja, prindërit, 44 dhe 37 vjeç, dhe tre fëmijët e tyre, 12, 14 dhe 18 vjeç.
Dy trupat e parë të nxjerrë janë të fëmijëve, ndërsa kërkimet për të tjerët vijojnë me intensitet të lartë.
Menjëherë pas shembjes, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, zjarrfikësish dhe ekipe të AFAD-it (Agjencia e Mbrojtjes Civile), të cilat po punojnë për gjetjen e të mbijetuarve.
Në operacion janë përfshirë 147 shpëtimtarë, mes tyre 80 efektivë të AFAD-it, si dhe vullnetarë dhe ekipe të bashkisë.
Prefektura e Kocaelit ka lëshuar një deklaratë zyrtare, duke shprehur ngushëllime për viktimat dhe urime për shërim të shpejtë për të plagosurit, ndërsa ka premtuar ndihmë për familjet e prekura.
Ende nuk dihen shkaqet e shembjes së ndërtesës, ndërsa hetimet janë në zhvillim.














