Prestigjiozja britanike The Guardian i ka kushtuar një artikull të gjatë situatës politike në Serbi, duke e përshkruar vendin si të mbërthyer mes krizës, korrupsionit dhe ndikimit të dyfishtë nga Brukseli e Moska.
Sipas artikullit, tragjedia në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona më 1 nëntor 2024, ndezi valën më të gjatë të protestave që vendi kishte parë në një dekadë — një kryengritje spontane kundër neglizhencës dhe arrogancës së pushtetit.
“The Guardian” shkruan se stacioni i Novi Sadit, simbol i propagandës së regjimit për “sukseset infrastrukturore”, u rrëzua duke ekspozuar brishtësinë e sistemit që Presidenti Aleksandar Vuçiç ka ndërtuar gjatë 12 viteve në pushtet. Infrastruktura, sipas gazetës, është shndërruar në mjet politik, ku “shpejtësia dhe përfitimi zëvendësojnë sigurinë dhe përgjegjshmërinë”.
Artikulli nënvizon se qeveria e Vuçiçit “merr para nga Bashkimi Europian dhe urdhëra nga Rusia”, duke e drejtuar vendin për përfitimin personal të presidentit. Sa më shumë bie mbështetja e partisë në sondazhe, aq më shumë, sipas The Guardian, Beogradi afrohet me Moskën, duke rrezikuar stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Gazeta thekson gjithashtu se kontrolli rus mbi aparatin e sigurisë serbe është “i nënvlerësuar në mënyrë të rrezikshme”, ndërsa protestat e studentëve janë shndërruar në simbol të një lëvizjeje të re për demokraci.
“Pas muajsh protestash të udhëhequra nga studentët, Serbia është pothuajse e paqeverisshme — e pezulluar midis shtypjes dhe ripërtëritjes,” shkruan The Guardian, duke theksuar se status quo-ja e mëparshme është zhdukur përgjithmonë.














