Siria ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, lajmin e dha presidentja Vjosa Osmani.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani falënderoi Presidentin sirian Al Sharaa për vendimin, si dhe Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman, për mbështetjen në arritjen e kësaj marrëveshjeje.
“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur dhe sakrifikuar shumë për lirinë. Kjo njohje sot nuk është vetëm njohje e sovranitetit shtetëror, por edhe e sakrificës së brezave tanë për të jetuar të lirë,” shkroi Osmani.
Me këtë akt, Kosova tani njihet nga 120 shtete. Presidentja theksoi se “Republika jonë po ecën përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë.”














