Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Siria ka shkaktuar reagime të forta në Beograd. Mediat serbe e kanë cilësuar vendimin si “skandal”, duke raportuar gjerësisht për takimin që u zhvillua në Riad ndërmjet përfaqësuesve të Sirisë, Arabisë Saudite dhe Kosovës.
Portali serb B92.net shkruan: “Skandal – Siria pranoi të ashtuquajturën Kosovë. Një takim i përfaqësuesve të udhëheqjes së Sirisë, Arabisë Saudite dhe të ashtuquajturës Kosovë u mbajt të mërkurën në Riad.”
Lajmin për njohjen e pavarësisë e ka konfirmuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale. Ajo bëri me dije se marrëveshja u arrit në Riad me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.
Pas Osmanit, reagoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili e cilësoi këtë si një tjetër sukses diplomatik për Kosovën. “Brenda këtij viti kemi siguruar tri njohje të reja – nga Kenia, Sudani dhe tani Siria,” shkroi Kurti, duke falënderuar Presidenten Osmani për përpjekjet diplomatike dhe Arabinë Saudite për mbështetjen e saj.














