Emisioni “Në Shënjestër” ka zbuluar detaje të reja nga hetimet për tenderin e Tunelit të Llogarasë, që ka futur në shënjestër Belinda Ballukun, zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, e cila është nën hetim nga SPAK për kallëzime penale të depozituara nga opozita.
Sipas emisionit, ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, ka përdorur BlackBerry-n e tij për të dokumentuar mënyrën se si një shtetas grek, Ioannis Kirkinezis, u orientua të bashkëpunonte me një kompani shqiptare për të marrë pjesë në tender.
Dokumentet dhe dëshmitë tregojnë manipulime të kriterëve të tenderit dhe përdorimin e dokumenteve nga kompani të tjera për të përmbushur kriteret ligjore, duke ngritur dyshime për favorizim dhe manipulim të procesit prokurues.
Tender me vlerë fondi limit 190 milion euro, punime me afat realizimi 37 muaj nga lidhja e kontratës ku data e fundit e dorëzimit të ofertave, e mbajtjes dhe shpalljes së fituesit të tenderit duhet të ishte data 12 Shkurt 2021.
Por që çuditërisht ky tender edhe pse kishte 6 ofertues, ku oferta më e ulët ishte ajo kompanisë ‘Gjoka Construksion’ në vlerën 140 milion euro, u anullua.
Kjo pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e drejtuar nga Belinda Balluku, i cilësoi ofertat si të papërshtatshme.
Arsye kjo për të shpallur edhe njëherë procesin e tenderimit i cili nga sa shikohet nuk vonoi.
Pasi më 26 qershor 2021, jo më larg se katër muaj nga anullimi i tenderit të parë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës rihap edhe njëherë garën për ndërtimin e Tunelit e Llogarasë.
Anullimi i tenderit të parë dhe rihapja e procedurave për herë të dytë që nga sa vihet re në vazhdim është vetëm një manovër për t’i hapur rrugë një kompanie turke, e cila del se u shpik vetëm për atë që do të ishte tenderi i radhës.
Kompani e cila rezulton se kishte një kapital qesharak, prej vetëm 1 mijë lekë të reja dhe që do të shërbente në vazhdim si një prestanome për të mbuluar kompaninë ‘Gjoka Construksion’ e cila në të vërtetë ishte ajo që kryen punimet si nënkontraktore në ‘Tunelin e Llogarasë’.
Gjë që vihet re edhe nga makinat e tonazhit të rëndë si dhe punonjësit që mbajnë të loguar emrin e kësaj kompanie.
Garë e cila u mbyll më datë 28 Korrik 2021.
Tender ku morën pjesë 5 kompani. Ajo çfarë hetimet kanë zbuluar janë “kriteret e vendosura tek dokumentet standarte të tenderit janë përgatitur nga përfaqësuesi i shoqërisë holandeze ‘Hill International N.V’ shtetasi grek Ioannis Kirkinezis.
Shoqëri që ka marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi si Bashkim Operatorësh Ekonomikë ‘Hill International N.V’ dhe ‘Net Group’ shpk.
Ku pas emërimit në këtë post Evis Berberi i kishte shitur Valter Begaj, për 1.7 milion euro aksionet e tij te kompania ‘DAAM’. Aksione që Berberi i kishte blerë për vetëm 800 euro. Ndërkohë që ortakëria midis tyre u pa të shëndoshej edhe në vazhdim.
Nga ku rezulton se ‘Evis Berberi ka qenë personi që ka orientuar shtetasin grek Ioannis Kirkinezis, që të bashkëpunojnë me administratorin e shoqërisë shqiptare ‘Net group’ Valter Begaj për të krijuar marrëveshje bashkëpunimi, për të marrë pjesë si bashkim operatorësh në këtë porocedurë prokurimi.’.
Shoqëria pjesëmarrëse në këtë procedurë prokurimi ‘Hill Internacional N.V’ rezulton se nuk ka plotësuar kriterin për punët/shërbimet, që të jenë realizuar nga kjo shoqëri, në kufirin e parashkuar në dokumentet standarde të tenderit. Nga ana e shoqërisë ‘Hill Internacional N.V’ për të vërtetuar këtë kriter janë paraqitur si dokumentacion provues fatura për kontrata të realizuara nga dy shoqëri të tjera të huaja, të cilët nuk mund të konsiderohen si punë/shërbim i realizuar nga shoqëria holandeze ‘Hill International N.V, pjesëmarres në këtë procedurë prokurimi.’
Kjo gjë është pranuar gjatë dëshmisë së tij dhënë përpara prokurorëve të SPAK, edhe nga vetë Ioannis Kirkinezis, përfaqësuesi i shoqërisë holandeze ‘Hill International H. V’ i cili pohoi se ishin marrë dokumente nga kompani të tjera simotra, për t’i paraqitur më pas si punë të kryera nga kjo kompani.
“Kriteret e këtij tenderi ishin shumë të vështira për tu plotësuar. Në këto kushte kam folur me departamentin propozues të shoqërisë holandeze ‘Hill International N.V’ në mënyrë që të kërkonin dokumentacionin edhe të shoqërive të tjera ‘Hill International’ nëpër botë, në mënyrë që të plotësoheshin këto kritere. Shoqëria holandeze ‘Hill International N.V’ nuk i plotësonte dot kriteret dhe për këtë arsye janë depozituar edhe punë të shoqërisë amerikane ‘Hill International INC”, është shprehur para hetuesve Ioannis Kirkinezis.
‘Shoqëria ‘Net Group’ shpk e Valter Begaj për të plotësuar kriterin e punëve të ngjashme, ka depozituar disa kontrata supervizimi apo mbikqyrje.
Këto punë përgjithësisht konsistojnë në mbikqyrje dhe kolaudime të ndërtimit të veprave të ndryshme (supervizime dhe mbikqyrje të 45 kontratave në vlera të vogla). Por, konstatohet se nuk janë punë te ngjashme me punime në tunele autostradash, hekurudhash apo metrosh, pra nuk mund të konsiderohen si punë të ngjashme me objektin e prokurimit’.
Dëshminë e punonjësve të kompanisë së ortakut të Berberit
Gjatë emisionit u publikuan dhe dëshmi nga dosja hetimore e ish-kreut të ARRSH-së Evis Berberi ku zbulohen shkeljet e hapura ligjore gjatë procedurave të prokurimit, sic janë personat që janë përfshirë në dokumentacion për të kryer shërbime, por që në fakt nuk kanë kryer asgjë.
Vetëm Ervin Doçaj është angazhuar për të ofruar shërbimin e tij, ndërsa shtetasit e tjerë janë kontaktuar nga përfaqësuesit e shoqërive ‘Net Group’ dhe ‘Hill International N.V’ vetëm gjatë fazës së konkurimit, por nuk janë njoftuar më pas për të ofruar shërbimin.
Kjo dëshmi që përforcon bindjen se kemi të bëjmë me një tender thellësisht korruptiv, plotësohet edhe me të tjera të ngjashme.
Që nuk tregojnë asgjë tjetër, vetëm se Ministria e Ballukut i bënte tenderat jo thjesht shkel e shko, por as nuk kujdesej të mbronte vetveten. Tendera të cilat bëhen ashiqare në shkelje të hapur të ligjit dhe në konflikt të pastër interesi.
Ku klientelizmi ishte kthyer në modalitet pune dhe dirigjimin e kishin marrë vetë në duar drejtuesit madhorë të kësaj ministrie.
Një nga këto dëshmi është edhe ajo e Luljeta Kuçit.
Pjesë e stafit të bashkimit të kompanive ‘Hill International H. V’ dhe ‘Net Group’, shpk e cila edhe pse ajo pohon që do merrej me dokumentacionin që do të dorëzohej në procesin e tenderimit, mohon ndërkohë që të kishte dhënë ndonjë shërbim që lidhej me përpilimin e këtij dokumentacioni që do të dorëzohej më pas nga kjo kompani, në garën për tenderin e supervizimit të Tunelit të Llogarasë.
“Si pjesë e stafit të bashkimit të operatorëve ekonomik gjatë fazës së konkurrimit nuk kam ofruar ndonjë shërbim dhe as nuk kam realizuar ndonjë detyrë për këtë kontratë. Po kështu nuk kam dijeni të kontratave që ka lidhur shoqëria ‘Net Group’ shpk”, thotë punonjësja.
Nga ajo që shikohet në vazhdim, gjithçka duket të jetë fiktive.
Pasi prestigjiatorët e tenderave kishin orkestruar gjithçka më parë. Dhe madje nuk kishin nevojë as për ekspertët që do t’u plotësonin kriteret ekonomike.
Kjo pasi mesa duket koha nuk u priste. Dhe fituesi i tenderit që duket i paracaktuar duhej shpallur sa më shpejt të ishte i mundur.
Aq e paktë ishte nevoja e dy kompanive fituese për stafin që kishin thirrur për formuluar dokumentet, sa atyre u duhej vetëm licensa e tyre.
Këtë për ta përdorur gjatë dorëzimit të dokumentacionit të ofertës. Gjë që e pranon në vazhdim edhe vetë Luljeta Kuçi e cila ndërsa ishte thirrur për të vënë në shërbim eksperiencën e saj, kompania e Valter Begaj ishte e interesuar vetëm për licencën që ajo dispononte.
Por jo për dituritë e saj. Gjë që ajo vetë e pohoi edhe përpara SPAK.
“Kur Valter Begaj themeloi shoqërinë, ai më tha të merrte licensën time dhe të deklaronte si punonjëse të shoqërisë së tij. Në këmbim, unë do të merrja një pagesë minimale. Në fillim kujtoj se Valter Begaj më tha se nuk do të angazhohesha fare për ofrimin e shërbimit, por vetëm do i jepja licencën”, thotë një tjetër punonjës në dëshminë e tij.
Të njëjtën gjë deklaroi edhe një tjetër pjesëtar i stafit të kompanive fituese për supervizimin e Tunelit të Llogarasë.
Konkretisht ‘Hill International H.V’ dhe ‘Net Group’ shpk i cili edhe ky pranoi që nuk kishte ofruar asnjë shërbim për ‘Net Group’ shpk dhe se nuk ka hedhur asnjë firmë në dokumentet që janë paraqitur në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, në lidhje me supervizimin e Tunelit të Llogarasë.
Ndërkohë që firma e tij rezultonte të ishte në dokumentet që kjo kompani kishte dorëzuar në Ministri. Një tjetër shkelje e rëndë e kryer gjatë procesit të këtij tenderimi.
Gjergj Kotorri ka deklaruar se nuk ka kryer asnjë detyrë për shoqërinë ‘Net Group’ shpk lidhur me kontratën që kjo shoqëri kishte me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë me objekt punimesh në objektin ‘Ndërtimi i tunelit të Llogarasë.
Ai tha se nuk ka firmosur ndonjë dokument që është i disponueshëm për konsulentin ‘Net Group’ për këtë procedurë.
I pyetur në vazhdim Gjergj Kotorri tha më tej që ai as nuk kishte dijeni të ishte pjesë e stafit që do të merrej me përpilimin e kritereve të ofertës që ‘Net Group’ shpk do të paraqiste në Ministri.
Duke ngritur supet ai shprehu habinë e tij mbi dokumentet që iu vendosën përpara në tavolinë, që mbanin firmën e tij.
“Kjo është hera e parë që unë e shikoj këtë document. Shkrimi dhe nënshkrimi në këtë dokument nuk janë të mitë.
Madje unë nuk ka asnjë dijeni që emri im është dhënë si pjesë e stafit për mbikqyrjen e punimeve në Tunelin e Llogarasë, pasi nuk jam njoftuar për këtë gjë”, thuhet në dëshminë e Kotorrit.
Por edhe Gjergj Kotorri, ashtu si edhe Luljeta Kuçi, pranoi se në kompaninë ‘Net Group’ shpk kishte vetëm një kontratë pune.
Por jo për Tunelin e Llogarasë.
Dhe se ashtu sikurse kishte ndodhur në rastet e mëparshme të ngjashme, kishte qenë vetë Valter Begaj, pronari i kësaj kompanie, që i kishte kërkuar licensën.
Por siç thotë Kotorri, pa u vënë në dijeni se licenca e tij do të përdorej për firmë në dokumentacionin që do të dorëzohej në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, për Tunelin e Llogarasë.
Një praktikë që dukej se ishte kthyer e rëndomtë në të tilla tendera, ku gjithçka ishte fiktive dhe e paracaktuar.
“Unë kam lidhur një kontratë pune me ‘Net Group’ shpk, pasi më kontaktoi vetë Valter Begaj, i cili për shkak të pikëve që kisha në licensë më kërkoi që të punësohesha në kompaninë e tij. Valter Begaj më ka thënë se do të bënte disa projekte, dhe se i duhej licenca ime, por në të vërtetë nuk jam angazhuar në ndonjë punë të shoqërisë ‘Net Group’”, thuhet në dëshminë e tij.
Do të jetë pikërisht ky tender, për të cilin ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku është marrë në hetim nga SPAK.
Tender ku të pandehur deri më tani janë edhe Evis Berberi ish-drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe pasuei i tij në këtë dikaster Gentjan Gjyli./Në Shënjestër














