Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke e akuzuar se nën drejtimin e saj Porti i Durrësit është kthyer në “strehë të sigurt për kartelet shqiptare të drogës”.
Bardhi theksoi se kjo situatë është bërë me “bekimin e kryeministrit Edi Rama”, ndërsa paralajmëroi se as “Porti i Durrësit nuk mund të jetë streha e Ballukut nga SPAK”.
Ai shtoi se aktrimi i ministres sikur asgjë nuk ka ndodhur teksa prezantonte drejtorin e ri dhe “lavdet për Edi Ramën” nuk do ta shpëtojnë nga akuzat për korrupsion.
Më tej ai theksoi se “edhe pse shumë minore në krahasim me megaaferat e firmosura nga ministrja më e korruptuar në historinë e Shqipërisë, paraqitja të premten e Belinda Ballukut në dyert e SPAK-ut përbën një hap në drejtimin e duhur.”
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Që nën drejtimin e Belinda Ballukut, me bekimin e Edi Ramës, Porti i Durrësit është shndërruar në strehë të sigurt për kartelet shqiptare të drogës, ky është një fakt i padiskutueshëm. Por, për fatin e keq të Belinda Ballukut, Porti i Durrësit nuk mund të jetë streha e saj nga SPAK-u.
Aktrimi i sotëm sikur asgjë nuk ka ndodhur apo lavdet pa entuziazmin e përhershëm për Edi Ramën nuk do ta shpëtojnë dot nga akuza penale për veprat e saj madhore korruptive.
Edhe pse shumë minore në krahasim me megaaferat e firmosura nga ministrja më e korruptuar në historinë e Shqipërisë, paraqitja të premten e Belinda Ballukut në dyert e SPAK-ut përbën një hap në drejtimin e duhur.













