Muaji shtator ka shënuar një numër më të ulët aksidentesh në raport me shtatorin e një viti më parë. Publikimi i fundit i Institutit të Statistikave mbi aksidentet rrugore vëren se ky numër ra me 16.3 për qind. INSTAT citon se të dhënat e raportuara janë paraprake dhe janë subjekt përditësimi.
“Në muajin Shtator 2025 janë regjistruar 102 aksidente rrugore, nga të cilët 135 persona janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Gjatë periudhës Janar-Shtator 2025, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 16,3 %, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më pare” thuhet në publikim.
Një tjetër pikë ku ndalet INSTAT është fakti se në shumicën e rasteve aksidentet janë si pasojë e shoferëve teksa grupmosha problematike sipas të dhënave të përpunuara në këtë periudhë është ajo e 25-34 vjeç.
“Aksidentet rrugore, në 91,2 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është shkaktuar nga grup-mosha 25-34 vjeç, e cila përbën 26,5 % të numrit total të aksidenteve.
Në muajin Shtator 2025, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së Hënë me 19,6 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditë së Mërkurë, Enjte dhe të Premte me nga 9,8 % secila
Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë harkut kohor 14:00-17:00 dhe 19:00-24:00, duke zënë secila nga 23,5 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej” thuhet në publikimin e INSTAT./Monitor














