Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, raportoi sot në Kuvend mbi veprimtarinë e institucionit për vitin 2024, duke ngritur alarmin për ngarkesën e madhe të gjyqtarëve, vakancat në sistem dhe vonesat e theksuara në gjykime.
Në raportimin e tij, Metani solli të dhëna statistikore sipas të cilave gjatë vitit 2024, ILD ka trajtuar 2854 ankesa, prej të cilave 1374 janë shqyrtuar dhe 54 kanë përfunduar me hetim disiplinor. Janë proceduar gjithsej 11 magjistratë 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë me masa që variojnë nga shkarkimi deri te vërejtja konfidenciale.
Sipas tij, problematikat kryesore që prekin sistemin e drejtësisë janë vonesat e gjata në gjykimin e çështjeve dhe mungesa e burimeve njerëzore.
“Ngarkesa e magjistratëve në Gjykatën e Tiranës është tepër e lartë. Në vitin 2023, një gjyqtar ka gjykuar mesatarisht 1176 çështje, ndërsa mesatarja kombëtare është rreth 841. Nga 80 gjyqtarë të parashikuar në organikë, vetëm 43 kanë ushtruar detyrën gjatë vitit,” – deklaroi Metani.
Ai shtoi se për shkak të vonesave të pajustifikuara dhe zvarritjeve, ILD ka hapur 51 hetime disiplinore, ndërsa për 17 magjistratë (8 gjyqtarë dhe 9 prokurorë) janë dërguar kërkesa për procedim disiplinor.
Një tjetër problem, sipas Metanit, është mungesa e infrastrukturës për regjistrimin audio të seancave gjyqësore, çka e bën të pamundur respektimin e kërkesave ligjore dhe ndikon në transparencë.
“Arsyeja e parë që ka ndikuar në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore tej afateve të arsyeshme është ngarkesa e magjistratëve të kësaj gjykate. Për vitin 2023, ngarkesa mesatare e punës për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka qenë mesatarisht 1176 çështje për gjykim, ndërkohë që për gjyqtarët pranë gjykatave të të njëjtit nivel gjyqësor ka qenë 841.7 çështje për gjyqtar. Për vitin 2023, numri i gjyqtarëve në organikën e miratuar të kësaj gjykate është 80 gjyqtarë, ndërkohë që efektivisht kanë ushtruar detyrën gjatë vitit 2023, vetëm 43 gjyqtarë.
Arsyeja e dytë janë vakancat e paplotësuara pranë kësaj gjykate. Nga ky inspektim rezultoi se organika e Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë (Dhoma Penale dhe Civile) për vitin 2023, rezulton e plotësuar në masën 54%, sa i takon kësaj trupe.
Nga ana tjetër, në të gjitha ato raste ku ILD, në kuadër të verifikimit dhe hetimit disiplinor ka konstatuar se vonesat apo zvarritjet kanë tejkaluar çdo afat të arsyeshëm, duke demonstruar neglizhencë të magjistratit në përmbushje të detyrës, për shkaqe të palidhura me arsye jashtë kontrollit të magjistratit, ka paraqitur kërkesat për procedimin disiplinor pranë këshillave përkatës.
Në total, gjatë veprimtarisë së vet, në rastet e vonesave dhe zvarritjeve në gjykim apo procedim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur fillimin e hetimit disiplinor për 51 magjistratë dhe në përfundim të tyre janë paraqitur kërkesat për procedim disiplinor për 17 magjistratë, 8 gjyqtarë dhe 9 prokurorë“,- tha Metani.













