Profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço, gjatë emisionit Top Story, ka deklaruar se një numër i aplikacionit “Sky Ecc” është loguar në një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit dhe është përdoru nga një zyrtar i lartë i Qeverisë.
Më tej ai shtoi se politikanë të lartë të mazhorancës po lobojnë për kreun e ri të SPAK, me biznesmenë dhe krimin e organizuar, duke u ofruar vota në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Sipas tij, kjo gjë ka shqetësuar ndërkombëtarët, të cilët i kanë dhënë ultimatum Edi Ramës, se nëse kjo gjë ndodh, faturën do e mbajë ai.
“Ne kemi një dosje, se ne i marrim vesh dhe nga ndërkombëtarët dhe nga institucionet e tjera që dhe ato ecin me informacion dhe nuk mund ta mbaj dot hermetike z. Dumani SPAK-un. Një dosje që një numër i “Sky” është loguar në një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit dhe është folur me atë. Kush është ky zyrtar i lartë i ekzekutivit që flet me këtë dhe këta e mbajnë në sirtar? Për çfarë e mbajnë? Se po bëjnë ndonjë garë ndërkohë? Se këto janë gjëra shumë serioze.
E di që ka politikanë në parlament që po lobojnë për kreun e ri të SPAK dhe të BKH-së me biznesmenë dhe me krimin e organizuar. A e di sa të shqetësuar janë ndërkombëtarët? Fundjavën e kaluar kanë qenë në zyrë ke ai prokurori Dritan Prençi dhe i kanë thënë ke mbështetjen tonë absolute dhe të jesh i pavarur në çdo punë që bën me këtë dosje dhe me shumë dosje të tjera. Por janë shumë të shqetësuar për mënyrën se si po menaxhohet tani zgjedhja e drejtuesit të ri, të BKH-së tani dhe më pas të Prokurorisë së Posaçme.
Kanë hyrë si influenca. Unë nuk them që prokurorët, ata të katërt që garojnë kanë rënë pre, por që janë në hall për vota dhe i kalkujojnë aty në KLP, i kalkujojnë patjetër. Por, të të hyjë një politikan, i cili në këmbim të një vote, dy votave, 5 votave në KLP, nuk e di si i siguron, t’i shpëtojë një dosje Sky Ecc apo një dosje korrupsioni. Po patjetër që për mazhorancën po flas, opozita ka dosje të tjera. Nuk mund të ndërhyjnë këta.
Një nga problemet më të mëdha të ndërkombëtarëve që ja kanë thënë kryeministrit tonë është kjo: Garantoni sot procesin se nesër do të të ngelet ty faturë. Janë disa të vegjël që kanë probleme me SPAK, dhe thonë si mund t’i shpëtojmë, hajde se do loboj për njërin nga këta dhe flasin për vota pastaj. Politikanë e deputetë të rëndësishëm, patjetër, se nuk mund ta bëjë një i vogël që nuk i hapin as telefonin”, tha Karamuço.














